TAGS-AT E JAVËS

Aktualitet 3 Tetor 2024, 11:42

SPAK refuzon Komisionin e Posaçëm antikorrupsion të Xhafës: Nuk marrim pjesë!

Shkruar nga Pamfleti
SPAK refuzon Komisionin e Posaçëm antikorrupsion të
Kreu i SPAK, Altin Dumani

Prokuroria e Posaçme SPAK nuk do të marrë pjesë me dy ekspertët dhe të bëhet pjesë e komisionit të Posaçëm anti-korrupsion që njihet si komisioni “Xhafaj”.

SPAK shprehet se nuk e konsideron të nevojshme pjesëmarrjen me ekspert në këtë Komision, pasi vlerëson se tashmë institucioni ynë i ka përmbushur detyrimet ligjore.

"Në përgjigje të interesimit tuaj, ju bëjmë me dije se kërkesa e Komisionit të Posaçëm Parlamentar “Për Thellimin e Reformave për Mirëqeverisjen, Sundimin e Ligjit, dhe Antikorrupsionin për Shqipërinë 2030 në Bashkimin Evropian” (Komisioni), u analizua me shumë kujdes nga ana jonë duke u trajtuar në Mbledhjen e Prokurorëve të Posaçëm të datës 03.09.2024. 

Gjatë kësaj mbledhjeje, Prokurorët e Posaçëm diskutuan rëndësinë e bashkëpunimit me Kuvendin për përmirësimin e sundimit të ligjit dhe luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, gjithmonë duke respektuar parimin e ndarjes dhe balancimit të pushteteve. 

Në mënyrë unanime të gjithë Prokurorët e Posaçëm nuk e konsideruan të nevojshme pjesëmarrjen me ekspert në këtë Komision, pasi vlerësuan se tashmë institucioni ynë i ka përmbushur detyrimet ligjore për bërjen publike të problematikave të hasura gjatë ushtrimit të funksioneve të tij duke përfshirë këtu dhe nevojat për ndryshime ligjore përkatëse. Ky detyrim ligjor është realizuar përmes publikimit të  Raporteve Vjetore të SPAK në faqen zyrtare, si dhe raportimeve periodike përballë KLP-së dhe Kuvendit.  Nga ana tjetër, Prokuroria e Posaçme, cilësoi se është e gatshme për të  ofruar kontributin e saj  përmes dhënies së mendimeve ligjore sa herë që do të konsiderohet e nevojshme nga ky Komision."-njofton SPAK.

Ndërkohë në forumin rajonal të mirëqeverisjes dhe luftës kundër korrupsionit ku ishte i pranishëm dhe ambasadori Gonzato dhe kryetarja e Kuvendit Spiropali, Dumani vuri theksin tek pavarësia e institucionit dhe tek forcimi i saj.

 

kreu i spak

Lini një Përgjigje