TAGS-AT E JAVËS

Aktualitet15 Mars 2025, 12:34

17 vite nga tragjedia e Gërdecit, familjarët e viktimave kryejnë homazhe te memoriali

Shkruar nga Pamfleti

17 vite nga tragjedia e Gërdecit, familjarët e viktimave

Familjarët e viktimave të tragjedisë së Gërdecit kanë nisur homazhet në memorialin e viktimave 17 vjet pas tragjedisë së rëndë.

Me lot në sy dhe buqeta në duar, familjarët vijojnë të kërkojnë drejtësi për 26 viktimat e pafajshme në shpërthimin e rëndë në fabrikën e demontimit të armëve në Gërdec.

Sot askush në qeli dhe asnjë i dënuar për vrasje

17 vite nga Gërdeci, askush nuk është sot në qeli dhe askush nuk është i dënuar për vrasje nga 28 të pandehurit që morën dënime pranverën e 2012-s, 4 vite pas masakrës. Dënimin më të rëndë me 18 vjet burg e mori Ylli Pinari, ish-drejtori i “Meico”-s, ndërmarrjes shtetërore të import-eksportit të armëve dhe drejtori i Fabrikës së Gërdecit, Dritan Minxolli, ndërsa pronari i fabrikës, Mihal Delijorgji u dënua me 10 vjet. Për të tre këta ishte kërkuar burgim i përjetshëm. Për ish-shefin e Shtabit, Luan Hoxha, i cili është larguar nga vendi, dënimi ishte 6 vjet burg, ndërsa disa ish-gjeneralë të tjerë u shpallën të pafajshëm.

Po ashtu, 10 vjet u dhanë dhe për Sokol Ngjecin, zyrtar i “Meico”-s. Për ish-kupolën e ushtrisë shqiptare, dënimi më i madh u dha për ish-shefin e Shtabit Luan Hoxha, me 6 vjet nga 8 të kërkuar nga Prokuroria, dy ishgjeneralë u shpallën të pafajshëm, ndërsa dy të tjerë u dënuan njëri, Dashnor Caushi me tre vjet, ndërsa tjetri Shpëtim Spahiu me katër vjet, por me kusht. Për të tjerët, funksionarë të Ministrisë së Mbrojtjes u dhanë dënime nga 1 deri tre vjet burgim. Në total, Gjykata dha 94 vite burgim, gjoba dhe 9 të pandehur morën pafajësinë. Një vendim, i cili që në sallën e gjyqit provokoi acarimin e familjarëve të viktimave, të cilët e quajtën të turpshëm atë. Një pjesë e mirë të dënuarve përfituan nga shkurtimi i dënimit në Apel, përllogaritja e ditëve të paraburgimit dhe ulja më vonë e dënimit për “sjellje të mirë”.

Lini një Përgjigje