TAGS-AT E JAVËS

Aktualitet15 Mars 2023, 08:01

15 vite nga tragjedia e Gërdecit, askush në qeli!

Shkruar nga Pamfleti

15 vite nga tragjedia e Gërdecit, askush në qeli!

Ditën e sotme shënohen 15 vite nga tragjedia e Gërdecit, ku 26 persona humbën jetën dhe u plagosën 300 të tjerë nga shpërthimi në fabrikën e demontimit të armëve në Gërdec.

28 të pandehurit e dërguar në gjykatë sot janë liruar nga burgu dhe ende nuk është vënë drejtësi.

Por familjarët e viktimave kanë ende shpresën se drejtësia e re do të çojë pas hekurave përgjegjësit e një prej tragjedive më të mëdha të ndodhura ndonjëherë në vendin tonë. 

SPAK ka hapur çështjen dhe ka nisur hetimet për akuza të rënda “Korrupsion i zyrtarëve të lartë” dhe “pastrim parash”.

15 vite nga kjo tragjedi, Shkëlzen Berisha, djali i ish kryeministrit Sali Berisha, duket se është përballë hetimit të ri, nga drejtësia e re. Ndërkohë që SPAK ka vendosur dërgimin për gjykim të Fatmir Mediut, aso kohe ministër i Mbrojtjes. Tashmë ‘topi’ është në dorën e GJKKO nëse do të pranojë të kalojë çështjen e Gërdecit për gjykim. SPAK tashmë ka rifilluar me pyetjen e dëshmitarëve, trashëgimtarëve të viktimave dhe personat e dëmtuar nga tragjedia.  

SPAK ka hapur çështjen dhe ka nisur hetimet, për të identifikuar përgjegjësit kryesor të tragjedisë së Gërdecit që ndodhi gjatë kohës që qeveriste Sali Berisha. Një sërë provash bëjnë përgjegjës Sali Berishën dhe djalin e tij, Shkëlzeni si edhe Fatmir Mediut. Kjo sepse emri i Sali Berishës dhe i Shkëlzenin përmendej shpesh në bisedat telefonike midis dëshmitarit kyç të Gërdecit, Kosta Trebicka dhe Efraim Diverolit, trafikantit të armëve nga Florida. 

Shkëlzen Berisha kishte lidhje të drejtpërdrejtë dhe të tërthortë me të gjithë personazhet që kanë realizuar aferën e Gërdecit. Kishte lidhje me Mihal Delijorgjin që kishte marrë përsipër përgatitjen e terrenit për demontimin e armëve në Gërdec, kishte lidhje përmes ‘vëllait’ të tij Rrahman Selmanllarin, me kompaninë amerikane SAC të Patrik Henrit që ishte kontraktuar për demontimin e armëve, si dhe del në përgjimet e Efraim Diverolit, një trafikant armësh nga Florida, presidenti i kompanisë “AEY”, e cila blinte municione kineze në Shqipëri dhe u vendoste etiketa të tjera, për llogari të një tenderi të dhënë nga SHBA në vlerën 298 milionë dollarë. 

Kërkesa e SPAK për rigjykim ndaj Mediut

Javën e kalaur në Gjykatën e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit u mbahet seanca paraprake për ish ministrin e Mbrojtjes, Fatmir Mediun sa i takon dosjes së ‘Gërdecit’.

Vetë Fatmir Mediu nuk është paraqitur, ndërsa në seancë kanë mbërritur dy avokatët  mbrojtës Ardian Visha dhe Henrik Ligori. Gjyqtarja, Irena Gjoka do të vendosë nëse do të kalojë çështjen për gjykim. Avokatët do të kërkojnë pushimin e çështjes, pasi çështja është parashkruar. Në rast se çështja nuk pushohet, avokatët do të kërkojnë gjykim të shkurtuar.

Po ashtu në gjykatë është paraqitur edhe familja Durda, Zamira dhe Feruzan Durda, të cilët humbën fëmijët e tyre vetëm 7 vjeç nga shpërthimi i Gërdecit.

SPAK kërkon që Mediu të gjykohet për akuzat e shpërdorimit të detyrës dhe shpërdorimit të detyrës në bashkëpunim me kuadër komandues ushtarak.

Seanca paraprake drejtohet nga gjyqtarja Irena Gjoka, e cila do të vendosë nëse dosja do të kalojë për gjykim apo do t’i kthehet pas SPAK-ut për plotësim hetimesh.

Çështja ndaj ish-ministrit Mediu është rihapur pasi Zamira Durdaj, e cila humbi të birin në ngjarjen e Gërdecit, e kallëzoi atë në SPAK. Fillimisht Shkalla e Parë e Gjykatës së Posaçme e rrëzoi kërkesën e SPAK-ut për ta rigjykuar Mediun, me argumentin se kanë kaluar të gjitha afatet ligjore për rishqyrtimin e çështjes dhe se nuk ka prova të reja.

Gjykata pati arsyetuar se mungesa e imunitetit të Mediut, sidomos pas vitit 2019, nuk e ka penguar prokurorinë të nisë procedurat.

Mediu ishte një nga të akuzuarit për shpërdorim detyre për ngjarjen e vitit 2008 ku Shqipëria u trondit nga shpërthimi i një depoje të armëve ushtarake në Gërdec, në afërsi të Tiranës.

Si ndodhi tragjedia në 15 mars

Më 15 mars 2008, mesditë ora 12:05 një shpërthim i fuqishëm tronditi Tiranën, ndërsa krateri i tij u shënua pak kilometra më tutje në fshatin Gërdec në Vorë. Teksa minutat kalonin ajo çka kishte ndodhur ishte e paimagjinueshme, 26 të vdekur e mbi 300 të plagosur dhe me 100 shtëpi të rrafshuara. Këto ishin pasojat e shpërthimit në punishten e demontimit të municioneve shtetërore në pronësi të biznesmenit Mihal Delijorgji.

Sot 15 vite më pas, ai shpërthim është ende i freskët në memorien e të gjithë. Kjo ngjarje përfundoi dhe në dyert e gjykatave shqiptare, por sot për 26 të vdekur e 300 të plagosur nuk ka asnjë person pas hekurave. Pati persona që ndërruan jetë në mënyrë të pashpjegueshme, pati dëshmitarë që u arratisën, ushtarak që morën azil politik, por për familjarët asnjëherë nuk u vendos drejtësi.

 

15 vite tragjedia e gërdecit

Lini një Përgjigje