Strategjia e SPAK për të hetuar krimet zgjedhore ka ngjallur interesin e ndërkombëtarëve.
Paraditen e kësaj të marte, kreu i SPAK, Altin Dumani ishte në ambasadën e Mbretërisë së Bashkuar, ku drejtoi një tryezë të rrumbullakët e shpjegoi përpjekjet për t’u përballur me krimet zgjedhore të mundshme.
Në prezencën edhe të ngarkuarës me punë të Ambasadës Amerikane, të delegacionit të BE në Tiranë dhe disa ambasadorëve të vendeve të BE, Altin Dumani ka shpjeguar strategjinë për hetimin e krimit zgjedhor për zgjedhjet e 11 majit dhe ka ndarë me ambasadorët problematikat e zbuluara deri më tani.
"Ambasada Britanike ftoi Kryeprokurorin e Posaçëm, Prokurorin e Përgjithshëm dhe Komisionerin Publik të Zgjedhjeve për të informuar ambasadorët mbi strategjinë e hetimit dhe parandalimit të krimeve zgjedhore, e publikuar në vitin 2025. Sesioni i informimit trajtoi qasjet kolektive dhe individuale të institucioneve në hetimin e shkeljeve zgjedhore, duke marrë parasysh mjedisin aktual të operimit, si dhe strategjinë për të minimizuar rreziqet e mundshme në procesin e ardhshëm zgjedhor.
Marrëveshja e re mes Komisionit Qëndror të Zgjedhjeve, Prokurorisë së Përgjithshme dhe Strukturës së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar u mirëprit nga komuniteti ndërkombëtar si një hap i rëndësishëm për të siguruar qartësi në rolin dhe përgjegjësitë e secilit institucion. Ambasada Britanike mbështet angazhimin e Shqipërisë për të garantuar që zgjedhjet e 11 majit të jenë transparente, të ndershme dhe të sigurta”, njofton ambasada e Britanisë.
Lini një Përgjigje