
Këshilli Kombëtar i Territorit dhe Ujit është mbledhur tre ditë më parë, duke miratuar 62 leje ndërtimi për pallate, kulla, resorte etj. Një leje për rezidencë në Tiranë është miratuar edhe për kompanitë Sima Com Alb dhe Alb Vizion Construction.
Kompania e ndërtimit Alb Vizion Construction zotërohet nga ish prokurori Bardhok Lleshi dhe bashkëshortja e tij Ardita Lleshi. Madje ish prokurori rezulton se ka shumicën e aksioneve.
Bardhok Lleshi përfundoi studimet në Shkollën e Magjistraturës në vitin 2005 dhe u emërua si prokuror në Prokurorinë e Krimeve të Rënda. Në vitin 2009, Lleshi u transferua në Prokurorinë e Lezhës.

Bardhok Lleshi u shkarkua nga detyra në janar 2021 nga Komisioni i Vetingut pasi nuk justifikonte pasuritë e deklaruara me burime të ligjshme të ardhurash. Pamundësia financiare e ish prokurorit, sipas KPK, ishte rreth 190 mijë euro.
Në vendim thuhet se prokurori Lleshi ka qenë aksioner në një shoqëri duke zotëruar 60% të kuotave të blera në vlerën 60 mijë lekë, me burim të ardhurat nga emigracioni. Ndërsa bashkëshortja e tij ka zotëruar 40% të kuotave të blera në shumën 40 mijë lekë, me burim të ardhurat nga puna në mësimdhënie pranë Universitetit të Tiranës.
I pyetur nga Komisioni, subjekti ka shpjeguar se në kohën kur ka blerë aksionet, shoqëria nuk ka pasur asnjë pasuri të regjistruar dhe vlera e kapitaleve ka qenë 100 mijë lekë. Ai ka shtuar se fitimet e saj janë riinvestuar në shoqëri dhe nuk ka pasur dividend të shpërndarë.
Në vitin 2015, rezulton të këtë ndryshuar statusi i ortakëve të shoqërisë, ku është caktuar z. E. L. zotërues aktiv i kuotave në cilësinë e personit të besuar të secilit prej ortakëve Bardhok Lleshi dhe bashkëshortes së tij A. P., ndërsa këta dy të fundit si zotërues pasiv të kuotave.

KPK evidenton se pavarësisht kësaj marrëveshjeje, prokurori Lleshi dhe bashkëshortja e tij vazhdojnë të gëzojnë të drejtën e përfitimit të fryteve të pronësisë që gëzojnë mbi kuotat në shoqëri.
“Pjesëmarrja e subjektit të rivlerësimit në një shoqëri tregtare, megjithëse në statusin e tij pasiv, e cila për nga qarkullimi vjetor duket se ka pasur aktivitet të mirë tregtar gjatë ushtrimit prej tij të detyrës së prokurorit, ndërthurja dhe bashkëveprimi i tij në veprimtaritë tregtare të vëllezërve, duket se ka për qëllim ndikimin ndoshta edhe në dukje të figurës së tij si prokuror në veprimtarinë tregtare fitimprurëse të vëllezërve të tij, duke cenuar me veprimet e tij indirekte besimin e publikut te sistemi i drejtësisë”, vlerëson KPK.
“Pasuritë e krijuara me një burim financiar të deklaruar nga emigracioni, por të paprovuar, duket se gjatë ushtrimit të detyrës së prokurorit janë shtuar dhe shumëfishuar duke e rivlerësuar pasurinë e subjektit në vlera të cilat duket se kanë karakter tregtar dhe se nuk shkojnë përshtat me një funksionar të sistemit të drejtësisë”, vijon trupi gjykues.

Komisioni ngre dyshime se kjo shoqëri e zotëruar nga subjekti ka nënshkruar kontrata formale me një shoqëri tjetër. “Nga verifikimet në internet duket se këto dy shoqëri (“***” dhe “***”) veprojnë dhe kanë të njëjtin aktivitet/qëllim. Objektet e ndërtimit dhe projektet e investuara përfshirë edhe koncensionet për pasuri publike duket se janë projekte të të dyja shoqërive”, citohet në vendim.
Komisioni konstaton se subjekti nuk ka deklaruar kuotat e tij dhe të bashkëshortes në një shoqëri tjetër tregtare të regjistruar në vitin 2002, me objekt “Ndërtime civile dhe ekonomike, restaurime, prodhime materiale ndërtimi, etj.”.
Sipas KPK, duke mos deklaruar këtë pasuri, subjekti i është shmangur njëkohësisht edhe kontrollit edhe verifikimit të ligjshmërisë së veprimeve të kryera prej tij, si dhe të vetë shoqërisë tregtare.
“[…]në një vlerësim tërësor që i bëhet të gjitha pasurive të subjektit të rivlerësimit konstatohen pasaktësi të qëllimshme në deklarimet periodike vjetore, si dhe marrëveshje tregtare të kryera prej tij ndër vite, të cilat përveçse nuk janë pasqyruar me transparencë e krijojnë hije dyshimi, duket se kanë shumëfishuar pasuritë e subjektit të rivlerësimit gjatë ushtrimit të detyrës së tij si prokuror duke krijuar kështu pasuri të vëna gjatë detyrës në vlera të konsiderueshme dhe pa një dokumentacion ligjor mbështetës mbi ligjshmërinë e tyre”, konkludon Komisioni.
Vendimi i shkarkimit u konfirmua dy vjet më vonë nga Kolegji i Posaçëm i Apelimit.
Në vitin 2014, Lleshi u kallëzua penalisht nga Inspektoriati i Lartë i Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurive dhe Konfliktit të Interesit për fshehje pasurie në vlera të mëdha dhe mosdeklarim të pasurive, por çështja u pushua nga prokuroria. /Prapaskena/
Lini një Përgjigje