
Xhud Belingam është zyrtarisht futbollist i Realit të Madridit dhe vetë klubi i Borusias së Dortmundit e ka konfirmuar kalimin e sulmuesit anglez, duke zbuluar edhe detajet e transferimit. Belingam do të firmosë një kontratë që e mban të lidhur me “Los Blancos” deri në vitin 2029.
Marrëveshja i ka kushtuar Realit plot 103 milionë euro, ndërkohë që Dortmundi mund të përfitojë edhe 30 milionë euro të tjera nga bonuset. Belingam do të veshë fanelën me numrin 7 te Reali i Madridit, numër të cilin e la të lirë vetëm pak ditë më parë Eden Hazard.
Prezantimi i tij në Madrid në “Santiago Bernabeu” do të bëhet pas pak ditësh. Ky është afrimi i parë i madh i Realit në këtë merkato vere, teksa pritet që në vazhdim të afrohet edhe sulmuesi tjetër anglez, Herri Kejn.
Kujtojmë që Belingham iu bashkua Dortmundit në verën e vitit 2020 për 30 milionë euro, duke e bërë atë 17-vjeçarin më të shtrenjtë në histori në atë kohë. Mesfushori u bë shpejt një nga talentet më të ndritura në futbollin botëror.
Pasi bëri shumë përshtypje, i riu mori përgjegjësinë për të qenë kapiten në disa raste për Dortmundin këtë sezon, pasi ata humbën për pak titullin e Bundesligës ndaj Bajernit të Mynihut, pasi u mposhtën në ndeshjen e fundit të kampionatit kundër Maincit.
Lini një Përgjigje