
Milani merr pikët e para në Champions League, teksa triumfoi në shtëpi me rezultatin 3-1 ndaj Klub Bryzh. Ndeshja u zhbllokua nga Pulisiç, i cili dërgoi topin në rrjetë në minutën e 34, direkt nga goditja e këndit.
Mysafirët mbetën me një lojtar më pak në minutën e 40, pas daljes me karton të kuq të Onejedika. Gjithsesi, belgët në pjesën e dytë, pavarësisht inferioritetit numerik barazuan llogaritë me Sabe. Gëzimi ishte i përkohshëm, pasi të besuarit e Fonsekës rikthyen rezultatin në favorin e tyre falë dopietës së mesfushorit Reijnders. Në fund, pati kohë edhe për Kamardën, por goli u anulua për pozicion jashtë loje.
Françesko Kamarda ka bërë debutimin, duke u bërë lojtari italian më i ri që luan në kompeticionin më të rëndësishëm për klubet europiane.
Sulmuesi aktivizohet në Champions në moshën 16-vjeç e 226 ditë. Jo vetëm kaq, por ai është i shtati më i ri në të gjithë historinë e kompeticionit.
Rekordi mbahej nga Moise Kin, i cili debutoi me Juventusin në moshën 16 vjeç e 267 ditë.
Kamarda është debutuesi më i ri në Serinë A, një rekord që daton më 25 nëntor kur ai hyri në “San Siro” në moshën vetëm 15 vjeç, 8 muaj dhe 15 ditë.
Monako duket se e ka seriozisht këtë sezon. Skuadra nga Principata, pasi mori 4 pikë në 2 ndeshjet e para, sonte mposhti 4-1 Crvena Zvezdën në Stade Louis II.
Lini një Përgjigje