
Sulmuesi i Kosovës i cili është harruar kohët e fundit ka shkëlqyer në Spanjë në ligën e dytë ku aktivizohet dhe Myrto Uzuni. Ky i fundit luan te Granada, ndërsa sulmuesi i “Dardanëve” aktivizohet me Elçe.
Bëhet fjalë për Elbasan Rashanin, një emër i harruar në futbollin e Kosovës. Lojtari shënoi gol në La Liga 2 këtë javë, ku spikati dhe futbollisti i Kombëtares në këtë divizion, por edhe “pirati”, Vedat Muriqi në një kategori më lartë. Rashani e nisi takimin si zëvendësues, kur u hodh në fushë në minutën e 58 kundër Sportingut të Gijonit. Më pas ai e justifikoi besimin e trajnerit kur arriti të tundte rrjetën 8 minuta pasi hyri në fushë. Ai u asistua nga Mendoza me të cilin shkëmbeu batuta në rrjetet sociale, ku patrioti ynë i shprehte futbollistit se dëshironte të mësonte spanjisht dhe kolegu ia kthente me të qeshur se do fillojmë kursin javës tjetër.
Elbasani në fitoren e klubit spanjoll 2-1 që dikur ka qenë pjesë e La Liga-s u vlerësua me notën 7.5, që rezultoi si lojtari i dytë më i mirë i sfidës. Sulmuesi i Elçes para eksperiencës në “Iberi” ka provuar kampionatin francez me Klermontin, ku ka shënuar ndaj ish-ekipit të Mesit. Bomberi ka luajtur edhe me përfaqësuesen e Kosovës, për herë të fundit në miqësoren me Norvegjinë, që daton në muajin qershor duke mos patur kështu pëlqimin e trajnerit të Kosovës, Franko Foda.

Lini një Përgjigje