
U hap në Tiranë, mesditën e kësaj të enjteje në ambientet e Muzeut Kombëtar ekspozita mbi jetën dhe karrierën e legjendës italiane të futbollit, Paolo Rosi. Për tri javë më radhë (1 deri 24 shkurt) futbolldashësit shqiptarë do të kenë mundësi të shohin falas objekte, dëshmi apo reflektime të bashkëkohësve të ish-futbollistit të madh Italian.
Në ceremoninë e organizuar për këtë rast, fjalën e hapjes e mbajti Presidenti i Federatës Shqiptare të Futbollit, Armand Duka, i cili theksoi se brezi i tij ka qenë me fat që ka pasur mundësi të përjetojë emocionet që dhuronte Paolo Rosi në fushën e blertë.
Të pranishëm në ceremoninë e përurimit të muzeut ishin figura të tjera shumë të mëdha të futbollit italian si Arrigo Saki, Marco Tradeli e Antonio Kabrini, dy të fundit kampionë Bote me Italinë në vitin 1982.
Të gjithë të pasionuarit pas futbollit do të kenë mundësinë gjithashtu që të shohin relike dhe sende personale që u përkasin personaliteteve më të mëdha të futbollit botëror ndër vite si Maradona, Pelè, Alfredo di Stefano, Gerd Muller, Giuseppe Meazza, Sandro Mazzola, Bobby Charlton, George Best, Falcao, Lev Yashin, Ferenc Puskas, Franz Beckenbauer, Johan Cruyff, Dino Zoff, Hristo Stoichkov, Lothar Matthaus, Roberto Baggio, Paolo Maldini, Franco Baresi, Marco Van Basten, Michel Platini, Ronaldo, Cristiano Ronaldo, Lionel Messi, Zinedine Zidane, Neymar, Zlatan Ibrahimovic, Luis Figo, Eusebio, Gianluigi Buffon, Francesco Totti, Andrea Pirlo, Kylian Mbappe, Erling Haaland, Luka Modric e shumë të tjerë.
Falë mbështetjes së FIFA-s dhe disa prej koleksionistëve më të rëndësishëm në botë do të sillen në këtë ekspozitë gjithashtu një sërë objektesh unike si fanella, këpucë, tuta, topa, foto, dokumente, trofe dhe medalje, që u përkasin legjendave më të mëdha të futbollit botëror duke përfshirë edhe fanellat e 47 fituesve të Topit të Artë nga viti 1956 e deri më sot.
Lini një Përgjigje