
Mançester Siti merr suksesin e katërt radhazi në kampionat, teksa sonte në “Etihad Stadium” triumfoi me rezultatin 3-1 ndaj Bërnlit. Kampionët e Anglisë “treguan dhëmbët” që në pjesën e parë, duke siguruar fitoren. Në datëlindjen e 24-të, sulmuesi argjentinas Julian Alvarez realizoi dy gola brenda 22 minutash.
Në fillimin e pjesës së dytë, të besuarit e Guardiolës thelluan shifrat me Rodrin. Bërnli shënoi golin e nderit në fund, falë Amin Al Dakhil! Me këtë fitore, Siti shkon në kuotën e 46 pikëve në vendin e dytë, ndërsa Bërnli ka vetëm 12 pikë dhe renditet në vendin e parafundit të Premier Ligës.
Totenhemi mundi 3-2 Brentfordin e Strakoshës, me skuadrën londineze që për 3 pikët u desh të përmbysë ndeshjen. Fillimisht mysafirët realizuan me Maupai, duke treguar se nuk kishin ardhur thjeshtë për shëtitje në “Totenham Hotspur Stadium” (London). Përmbysja e “Spërsave” erdhi me Udogi dhe Xhonson, në pjesën e dytë. Goli që “vulosi” njëherë e mirë takimin ishte ai i Riçarlison. Brentfordi u fut në lojë me Ivan Tonej, por vetëm kaq, pa ndryshuar dot fatin e ndeshjes.
Lini një Përgjigje