
Reshat Ramadani është talenti i prodhuar së fundmi nga futbolli maqedonas i cili bëri hapin e madh të karrierës, teksa u transferua këtë merkato nga Shkëndija drejt Dinamos së Kievit për shifrën e 250 mijë eurove. 19-vjeçari luan në rolin e mesfushorit defensiv, ndërsa mund të bëjë mjaft mirë edhe në dyshen e mbrojtjes.
Ramadani shihet si një nga talentët me shumë perspektivë dhe kjo ka zgjuar interesin e FSHF-së, të cilët janë interesuar menjëherë për shërbimet e tij. Sipas medias së shkruar, lojtari është pajisur me pasaportë shqiptare dhe do të thërritet në ekipin Shpresa fillimisht e më pas në ekipin A.
“Jam shumë i lumtur që i bashkohem një ekipi kaq të madh si Dinamo e Kievit. Ky është një klub i nivelit europian, është klubi më i mirë në Ukrainë! Kievin e dija që ishte një qytet i madh. E di që ka një luftë në Ukrainë, por e shoh sa të guximshëm janë njerëzit këtu. E gjithë bota ju admiron tani!”, tha fillimisht tetovari, i cili më pas prezantoi veten: “Unë jam nga një qytet i vogël me zemër të madhe. Unë dua të demonstroj të gjitha aftësitë e mia dhe të provoj veten në këtë klub. Dikur luaja qendërmbrojtës, tani mund të luaj edhe në mbrojtje, edhe në mesfushë. Megjithatë, pozicioni ku ndihem më komod dhe më i mirë për mua është një mesfushor me tipare mbrojtëse”, tha ai.
Përjetimi i transferimit- ”Nuk e besova në fillim, ende nuk e besoj. Jam shumë i emocionuar tani, ky është një transferim shumë i madh për mua, jam në ëndërr. Kur e mora vesh isha shumë i hutuar.
Pse zgjodha numrin 92? Është për shkak të tifozëve të ish-klubit tim, Shkëndijës. Viti 1992 është viti i themelimit të lëvizjes së tifozëve të Shkëndijës (Ballistët). Këtë numër ua dedikoj atyre”, tregoi Ramadani.
Shqipëria- Ramadani është në kontakte me FSHF-në, për të përfaqësuar ngjyrat kuqezi në ndeshjet e Kombëtares. Ai është pajisur me pasaportë shqiptare dhe pritet të jetë kalimi më i fundit në radhët e Shpresave. Pak kohë më parë, Arda Kurtulan dhe Agan Mjaki, ishin dy lojtarë që lanë Maqedoninë e Veriut dhe kaluan te Shqipëria U-21.
Me trajnerin e ri, Silvinjo, çdo lojtar e nis nga “zero” dhe të gjithë do të kenë mundësinë të thërriten nëse braziliani i sheh si afrime cilësore.
Lini një Përgjigje