
Ministria e Brendshme italiane ka vendosur pezullimin e udhëtimeve të organizuara për tifozët e Romës dhe Fiorentinës deri në përfundim të këtij sezoni në Serinë A. Vendimi erdhi pas përleshjeve të fundjavës së kaluar në autostradë mes grupimeve të tifozëve të dy klubeve, si dhe për shkak të precedentëve të mëparshëm të konsideruar problematikë brenda dhe jashtë vendit.
Para shpalljes së masës, presidenti i Lega Seria A, Ecio Simoneli, komentoi situatën duke theksuar se sjelljet e tilla dëmtojnë imazhin e futbollit italian.
“Ajo që ndodhi është shumë serioze. Po bëjmë kaq shumë për të ndërtuar një imazh të pastër të futbollit dhe këto gjëra absolutisht nuk ndihmojnë. I dërgova një mesazh mirënjohjeje policisë për përpjekjet e tyre në ruajtjen e rendit publik”, tha ai.
Kreu i Serisë A e mbylli deklaratën me një thirrje të fortë.
“Futbolli italian nuk mund të lejojë që sporti të përzihet me çështje kriminale dhe përleshje që rrezikojnë shëndetin e njerëzve”, tregoi Ecio Simoneli.
Lini një Përgjigje