
Orges Shehi nuk është më trajneri i Partizanit. Tekniku durrsak është larguar nga drejtimi i të kuqve pas një mbledhje të zhvilluar sot me drejtuesit e klubit kryeqytetas.
Vetë ish-trajneri ka treguar për “Panorama Sport” se ashtu siç kishte shpjeguar klubi në komunikatën për mediat, ky kishte qenë një vendim i përbashkët i palëve.
“Po, isha në takim me presidentin dhe vendosëm ta mbyllnim bashkëpunimin. I uroj gjithë të mirat personalisht Gaz Demit dhe suksese Partizanit në të ardhmen”, ishin fjalët e Shehit pas këtij vendimi.
Klubi i kuq dhe tekniku durrsak kanë rënë dakord për të ndërprerë mes tyre bashkëpunimin e nisur më 26 dhjetorin e vitit të kaluar. Ky vendim vjen si pasojë e rezultateve negative të skuadrës në muajt e fundit ku nuk arritën te fitorja e titullit si dhe dështimi në kualifikueset Ligës së Konferencës.
Orges Shehi drejtoi skuadrën në 27 ndeshje. Zhgënjimi ishte i madh së fundmi, sidomos pas eleminimit në Ligën e Konferencës nga gjeorgjianët e Iberia 1999.
Ish-portieri i njohur u shpall nënkampion me “Demat”, skuadër me të cilën ka luajtur edhe gjatë karrierës futbollistike.
Lini një Përgjigje