
Realizimi i golit të Arbër Hoxhës në përballjen ndaj Polonisë në Varshavë ishte ndër momentet më të bukura të ndeshjes, duke mbajtur gjallë shpresat për një kualifikim në Botëror, edhe pse në fund kjo mbeti vetëm në kuadrin e dëshirës. Për sulmuesin kuqezi, ky gol kishte peshë edhe në aspektin individual, pasi ai konsiderohet një nga elementët më të rëndësishëm në organikën e Dinamo Zagreb.
Paralelisht, emri i tij ka qenë shpesh në qendër të zërave të merkatos për një largim të mundshëm nga Kroacia. Pikërisht paraqitja në Varshavë ka nxjerrë në pah një interes konkret nga klubi polak Widzew Lodz, ku aktivizohet edhe Juljan Shehu.
Klubi polak e ndjek prej kohësh Hoxhën dhe goli i tij ndaj Polonisë duket se ka forcuar bindjen se bëhet fjalë për një lojtar me potencial të lartë investimi. Për këtë arsye, Widzew Lodz ka përgatitur një ofertë të konsiderueshme për ta bindur Dinamo Zagreb të pranojë transferimin.
Sipas “Transfermarkt”, kartoni i sulmuesit vlerësohet rreth 2.5 milionë euro, ndërsa oferta e klubit polak arrin në 5 milionë euro. Kujtojmë se Hoxha është i lidhur me Dinamo Zagreb me kontratë deri në vitin 2027.
Lini një Përgjigje