
Karim Benzema u largua nga Reali i Madridit këtë verë për t’u transferuar tek Al-Itihad në Arabinë Saudite, por, për momentin, gjërat nuk po shkojnë mirë për të. Sulmuesi nuk ka shënuar ende dhe gazeta arabe “Asharq Al-Aswat” ka zbuluar se ka një klimë tensioni mes Benzema dhe trajnerit portugez Nunjo Espirito Santo.
Sipas kësaj gazete, trajnerit nuk i pëlqen mënyra se si luan Benzema, pasi e kupton që nuk i sjell skuadrës atë që kërkon portugezi. Në fakt, sipas gazetës në fjalë, trajneri nuk ka kërkuar nënshkrimin e Benzema në këtë merkato vere dhe lojtari tashmë i ka shprehur shqetësimin e tij një zyrtari të klubit.
Një tension që sipas mediave arabe ka nisur me kapitenin. “Asharq Al-Aswat” shpjegon se Karim Benzema do të ishte kapiten i skuadrës për shkak të përvojës së tij të madhe dhe figurës së skuadrës, por trajneri portugez e refuzoi këtë kërkesë dhe kapiten është Romarinjo, një legjendë e klubit.
Mediat arabe sqarojnë se Benzema i ka kërkuar klubit që të gjejë shpejt një zgjidhje për këtë situatë. Shtypi saudit zbulon se ish-sulmuesi i Realit nuk ka qenë as në stërvitjen e fundit të skuadrës.
Lini një Përgjigje