
Bundesliga pritet të ketë disa lëvizje në pankina në merkaton e verës. Leverkuseni dhe Lajpcigu janë dy nga klubet e rëndësishme në kampionatin gjerman, që me shumë gjasa do të kenë trajner të ri në sezonin 2025-2026.
Nëse për Leverkusenin diskutimet janë të shumta, nuk janë më të pakta edhe për Lajpcigun. Çesk Fabregas (38/Komo) dhe Oliver Glasner (50/Kristal Palas) janë dy kandidatët kryesorë për postin e trajnerit në klubin e Bundesligës. Drejtuesit e Lajpcigut janë ende optimistë se një nga dy zgjidhjet e dëshiruara do të funksionojë. Por, për shkak se ka shumë pengesa për të dy (kontrata të vazhdueshme, konkurrencë nga klube të tjera), klubi natyrisht po shqyrton alternativa që hyjnë në lojë nëse dy zgjidhjet kryesore nuk funksionojnë.
Sipas informacioneve të “Bild”, emri i Davide Ançelotit (35), djali i trajnerit të Realit të Madridit, Karlo Ançeloti (65) është përmendur brenda klubit në këtë kontekst. Thuhet se tashmë ka pasur kontakt. Davide, i cili ka një kontratë me Realin deri në vitin 2026, ka qenë pjesë e stafit të trajnerëve të babait të tij që kur ishte 23 vjeç (te PSG-ja, Reali, Bajerni, Napoli, Evertoni dhe sërish te Reali). Ndër pikat e tij të forta është komunikimi dhe njohja e mirë e disa gjuhëve, përfshirë dhe gjermanishten.
Ai tani flet rrjedhshëm pesë gjuhë – italisht, spanjisht, anglisht, frëngjisht dhe gjermanisht. Vitin e kaluar, babai i tij i tha se mund të imagjinonte një ndryshim roli, në të cilin ai do të bëhej asistent i djalit të tij. Nga Spanja thuhet se Karlo po ia dëgjon gjithnjë e më shumë fjalën. Davide ka një lidhje të mirë me lojtarët (e rinj), është një nga të parët që mbërrin në qendrën stërvitore dhe një nga të fundit që largohet. Pra, avantazhi është se Davide ka shumë përvojë, të paktën në rreshtin e dytë. Disavantazhi i tij është se italiani mbart një farë rreziku, sepse nuk ka punuar kurrë më parë si trajner kryesor. Megjithatë, edhe klube të tjera janë bërë të vetëdijshme për cilësitë e tij, kështu që përveç klubeve angleze, thuhet se për të është e interesuar edhe Roma. Tani mbetet për t’u parë se çfarë zgjedhjeje do të bëjë klubi i Bundesligës.
Lini një Përgjigje