
Starton sfida mes Shqipërisë dhe Moldavisë. Kombëtarja luan sonte në “Air Albania” takimin e vlefshëm për Grupin E të kualifikueseve të “EURO 2024”, që do të zhvillohet vitin e ardhshëm në Gjermani. Kuqezinjtë e drejtuar nga Silvinjo do të kërkojnë fitoren e parë për të mbajtur gjallë shpresat për kualifikim, duke parë që edhe kundërshtari që kanë përballë është i kalueshëm në letër dhe fitorja është detyrim.
Kjo është ndeshja e parë e teknikut brazilian në stadiumin “Air Albania”, ku do të kërkojë me çdo kusht 3 pikët e para, si dhe për t’i nisur me këmbën e mbarë këto eliminatore.
49-vjeçari ka publikuar pak më parë edhe formacionin, ku çelësat e portës i janë besuar Etrit Berishës, ndërkohë që një fanelë titullari ka marrë edhe Mario Mitaj në krahun e majtë të mbrojtjes. Ndërkohë në mbrojtje ia ka dalë Gjimshiti që ka qenë në dyshim për shkak të një shqetësimi, ndërsa katërshen e plotësojnë Hysaj dhe Ismajli.
Në mesfushë janë Bare, Ramadani dhe Bajrami. Sulmi i është besuar Cikalleshit, që do të ndihmohet në krahë nga Uzuni dhe Jasir Asani.
Kujtojmë se kjo është ndeshja e dytë për kuqezinjtë tanë, pasi në ndeshjen e parë të luajtur në muajin mars, Shqipëria u mposht nga Polonia në fushën e këtyre të fundit me rezultatin minimal 0-1. Të martën, ekipi i drejtuar nga Silvinjo do të udhëtojë drejt Torshavnit, ku do të ndeshet me një tjetër kundërshtar të lehtë në letër siç janë Ishujt Faroe.
Lini një Përgjigje