TAGS-AT E JAVËS

Sport16 Nëntor 2025, 17:09

Spektakël “luzitan“, Portugalia siguron Botërorin pa Ronaldon në fushë; Irlanda nxjerr Hungarinë jashtë ‘play off‘ dhe gëzon Shqipërinë

Shkruar nga Pamfleti

Spektakël “luzitan“, Portugalia siguron Botërorin pa

Janë luajtur ndeshjet e fundit kualifikuese në grupin F për Kupën e Botës 2026. Portugalia fitoi 9-1 ndaj Armenisë, në sfidën e luajtur në “Estádio do Dragão” në Porto.

Renato Veiga zhbllokoi shifrat që në minutën e 6, ku mbrojtësi shënoi me kokë, pas një goditjeje dënimi të Bruno Fernandes. Armenët barazuan në minutën e 17 me Spertsian, pas një aksioni të shpejtë dhe të bukur.

Portugezët u kundërpërgjigjën shpejt, Gonçalo Ramos shënoi golin e dytë në minutën e 27, pas një topi të kthyer mbrapsht gabimisht nga armenët. Dy minuta më pas, Zhoao Neves shkundi rrjetën me një goditje të bukur me të djathtën në kufijtë e zonës së rreptësisë. Në minutën e 41, Zhoao Neves ekzekutoi një goditje dënimi perfekte dhe shënoi golin e dytë personal në pjesën e parë dhe të katërtin për portugezët. Bruno Fernandes shënoi golin e pestë në fund të pjesës së parë, nga penalltia.

Bruno Fernandes kompletoi hat-trickun e tij në pjesën e dytë, ku shënoi edhe dy gola të tjerë, një nga penalltia. Po ashtu edhe Zhoao Neves kompletoi hat-trickun e tij me golin e tretë personal të shënaur në minutën e 80, që ishte goli i tetë për portugezët në këtë takim. Françisko Konseisao vulosi fitoren 9-1 me golin e tij në minutat shtesë.

Portugalia preu biletën për herë të 6 radhazi në Kupën e Botës edhe pse jo me kapitenin Kristiano Ronaldo në fushë. 

Në ndeshjen tjetër Irlanda mposhti me shifrat 2-3 në transfertë Hungarinë falë tripletës së Parrot. Me këtë fitore irlandezët sigurojnë “play off”-in. Një lajm i mirë për Shqipërinë, pasi ka një mundësi, që të pozicionohet më mirë se Irlanda në renditjen e FIFA-s. Llogaritë më pas bëhen se cila skuadër do vendoset në vazon e dytë.

Lini një Përgjigje