TAGS-AT E JAVËS

Sport23 Nëntor 2024, 19:01

Skënderbeu nuk “ndien shijen” e fitores prej 5 ndeshjesh, korçarët ndalen nga Dinamo; Vllaznia fiton në fund dhe ngjitet në krye

Shkruar nga Pamfleti

Skënderbeu nuk “ndien shijen” e fitores prej 5 ndeshjesh,

Java e 14 e Abissnet Superiore ka ngritur siparin me 2 ndeshjet e orës 17:00. Sfida e luajtur në Korçë mes Skënderbeut dhe Dinamos është mbyllur në barazim 2-2. “Ujqërit e Dëborës” kanë 5 ndeshje që nuk “ndiejnë” shijen e fitores, ndërsa ana tjetër blutë kanë 2 ndeshje pa fitore. Kryeqytetasit kaluan të parët në avantazh në minutën e 14. Mandela gjuajti në mënyrë të shkëlqyer nga jashtë zonës duke tundur rrjetën.

2 minuta më vonë, korçarët barazuan shifrat. Rashica dha një pasim diagonal për Çuçkën në të djathtë, me 21-vjeçarin që mposhtin portierin Sali.

Në minutën e 33, skuadra e drejtuar nga Gvozdenoviç ktheu gjithçka në favor të vet. Çuçka nisi me shpejtësi një goditje dënimi duke pasuar për Rashicën, i cili gjeti rrugën e rrjetës.

Avantazhi i vendasve nuk zagjati shumë, pasi në minutën e 54, skuadra e Ilir Dajës barazoi shifrat. Toli pa gjuajtjen e tij të ndalej nga Mandela, më pas ishte Vila i cili provoi dy herë portën dhe me të dytën dërgoi topin në rrjetë.

Me këtë barazim, Skënderbeu renditet në vendin e 8 me 13 pikë, ndërsa Dinamo mban vendin e 3 me 21 pikë.

Ndërkohë ndeshja tjetër, ajo mes Vllaznisë dhe Teutës e luajtur në “Loro Boriçi” është mbyllur në me fitoren e shkodranëve me rezultatin 2-1.

Në minutën e 45+2, vendasit zhbllokuan sfidën me Melos Bajramin. Mbrojtësi tundi rrjetën pas harkimit në shtyllën e dytë nga Kahrimanoviç, që ekzekutoi në mënyrë perfekte këndoren.

Në pjesën e dytë dhe më konkretisht në minutën e 67, durrsakët barazuan shifrat me një kryevepër të Nasr. Kristi Qarri e pati të pamundur të ndalte goditjen e lëshuar nga një distancë më e madhe se 25 metra.

Kur mendohej se ndeshja do të mbyllej në barazim dhe dy skuadrat do t’i jepnin dorën njëra-tjetrës, shkodranët gjetën golin e suksesit me Ildi Grudën.

Me këtë fitore, Vllaznia ngjitet përkohësisht në vendin e parë me 25 pikë, ndërsa Teuta mban vendin e 6 me 17 pikë.

 

dinamo skënderbeu vllaznia teuta abissnet superiore

Lini një Përgjigje