
Një rrjet i strukturuar në formë koorporate dyshohet se ka organizuar për vite me radhë festa luksoze për rreth 50 futbollistë të Serisë A, përfshirë lojtarë të Interit, Milanit dhe ekipeve të tjera që vizitonin Milanon. Eventet zhvilloheshin pas ndeshjeve dhe promovoheshin si aktivitete relaksuese dhe ekskluzive.
Sipas hetimeve, për disa pjesëmarrës festat vazhdonin në ambiente private hoteli, ku ofroheshin shërbime eskorte kundrejt pagesave të larta. Në disa raste, raportohet edhe përdorimi i oksidit të azotit, i njohur si “gaz qeshës”, një substancë që sipas hetuesve është e vështirë të zbulohet në kontrollet antidoping.
Katër menaxherë të rrjetit janë vendosur në arrest shtëpiak, të akuzuar për nxitje dhe shfrytëzim prostitucioni, si dhe vepra të tjera penale. Sipas autoriteteve, ata kanë përfituar mbi një milion euro nga kjo veprimtari.
Organizata operonte përmes një agjencie eventesh me bazë në Cinisello Balsamo, e cila promovonte festa në klube të njohura në Milano dhe jashtë vendit. Përmes agjentëve të marrëdhënieve me publikun, sigurohej lidhja mes klientëve dhe vajzave të rekrutuara për këto evente.
Rreth 100 vajza të reja u përfshinë në këto aktivitete, fillimisht për të argëtuar klientët në ambiente publike si pista vallëzimi apo tavolina VIP. Megjithatë, sipas hetimeve, një pjesë e tyre ofronin edhe shërbime seksuale kundrejt pagesave që arrinin në mijëra euro.
Autoritetet theksojnë se prania e vajzave në evente nuk përbën shkelje ligjore në vetvete, por elementi penal lidhet me ndërmjetësimin dhe përfitimin financiar nga prostitucioni.
Hetimi i Prokurorisë së Milanos, i drejtuar nga zëvendësprokurorja Bruna Albertini, identifikon dy nga të dyshuarit si figura kyçe të rrjetit. Për të garantuar diskrecion maksimal, organizata përdorte ambiente të kontrolluara prej saj, duke shmangur regjistrimet në hotele.
Në përgjime të publikuara nga hetuesit përmenden kërkesa të klientëve për vajza, përfshirë edhe figura të njohura ndërkombëtare. Sipas të dhënave, një numër i kufizuar grash, të moshës 18–30 vjeç, përfitonin deri në 50% të të ardhurave nga aktiviteti.
Guardia di Finanza ka sekuestruar mbi 1.2 milion euro, të dyshuara si të ardhura nga aktivitete të paligjshme, përfshirë pastrim parash dhe trafikim droge. Sipas prokurorisë, të ardhurat reale të të dyshuarve ishin dukshëm më të larta se deklarimet zyrtare dhe lidhen kryesisht me organizimin e këtyre eventeve.
Lini një Përgjigje