
Etnik Brruti pritet të largohet nga Malisheva në fund të këtij sezoni, pasi kontrata e tij përfundon në muajin qershor dhe nuk parashikohet rinovimi. Mesfushori 22-vjeçar ka tërhequr vëmendjen e disa klubeve jashtë vendit, duke e vendosur përballë një vendimi të rëndësishëm për karrierën.
Fillimisht u raportua për një interesim nga klubi kroat Rijeka, por sipas burimeve të “MarkajNews”, në garë për shërbimet e lojtarit është futur edhe Deportivo La Korunja. Klubi spanjoll, që aktualisht militon në La Liga 2, synon rikthimin në elitën e futbollit spanjoll dhe e konsideron Brrutin si një përforcim të vlefshëm për repartin e mesfushës.
Interesi i klubeve lidhet ngushtë me paraqitjet e fundit të Brrutit në Superligën e Kosovës, ku ai ka spikatur me performanca të qendrueshme dhe disa gola të rëndësishëm për Malishevën.
Me disa opsione konkrete në tryezë, vendimi për të ardhmen mbetet në dorën e vetë lojtarit, i cili pritet të zgjedhë mes një transferimi në Spanjë apo në Kroaci.
Pak muaj më parë, Brruti ishte në qendër të debatit mes opinionistëve në Shqipëri dhe Kosovë, pasi vendosi të largohej nga Kosova U-21 për t’iu bashkuar Shqipërisë. Aktualisht, ai është pjesë e Kombëtares shqiptare U-21, të drejtuar nga Alban Bushi.
Lini një Përgjigje