TAGS-AT E JAVËS

Sport 8 Shtator 2023, 22:11

Silvinjo piu dy litra ujë në barazimin kundër Çekisë, tekniku brazilian i ulëret gjyqtarit të katërt: Shiko bërrylat

Shkruar nga Pamfleti

Silvinjo piu dy litra ujë në barazimin kundër Çekisë,

Ka qenë një ndeshje shumë e tensionuar ajo për stafin e Kombëtares dhe ai që ra më shumë në sy ishte Silvinjo, që nga njëra anë përqafohej me lojtarët e tij dhe nga ana tjetër u bërtiste arbitrave për bërrylat që u jepnin çekët kuqezinjve tanë. “Panorama Sport” ju sjell të gjitha pikantet e ndeshjes së djeshme në stadiumin “Fortuna Arena”, ku dominonte ngjyra kuqezi e Kombëtares.

* Silvinjo nuk del gjatë nxehjes, por me lojtarët merret stafi ndihmës, Zabaleta, Doriva. Nga ana tjetër, trajneri i çekëve, i veshur me xhinse dhe këmishë të bardhë e ndjek ekipin e tij nga rrethi i mesfushës.

* Mirlind Daku dhe Arbnor Muja, për herë të parë me fanellën kuqezi. Daku do të mbajë numrin 19 në fanellë, ndërsa Muja numrin 22.

* E gjithë trupa e gjykimit është angleze, me emrin e njohur Entoni Tejlor kryesor. Ndërkohë, delegati i UEFAs është David Moran nga Irlanda.

* Ngjyra e kuqe mbizotëron në shkallët e “Fortuna Arenës”, pasi stolat ishin me ngjyrë të kuqe njësoj si në “Air Albania”. Po ashtu edhe tifozët çekë mbajnë të veshur ngjyrën e kuqe.

* I tejmbushur sektori i tifozëve kuqezi, ku rreth një mijë tifozë janë në një sektor të vetëm. Por, jo vetëm aty pasi flamuj shqiptarë dhe tifozë gjen edhe në çdo cep të stadiumit.

* Interes jo shumë i lartë nga tifozët çekë. Në stadiumin 20 mijë vendesh shiheshin vende bosh kudo.

* Odise Roshi ishte lënë në tribunë dje nga trajneri Silvinjo, pasi në stol nuk lejoheshin më shumë se 12 lojtarë.

* Në stadium mes tifozëve shqiptarë u shfaq edhe sulmuesi Armando Sadiku, i cili nuk ishte grumbulluar për këtë takim. Lojtari elbasanas, që luan në Indi, kishte bërë mijëra kilometra për të qenë pranë Kombëtares, i shoqëruar nga babai dhe vëllai i tij.

* Qazim Laçi nuk ishte dje pranë ekipit në Çeki për shkak të problemeve shëndetësore, teksa qëndroi në Tiranë, me shpresën se do të jetë i gatshëm të dielën ndaj Polonisë. Si për ironi të fatit, mesfushori është i vetmi futbollist i Kombëtares që luan në Çeki, pikërisht me Spartën e Pragës.

* Topi i parë i gjatë nga çekët te lojtari i tyre më i gjatë.

* Silvinjo me kostum dhe bërtet që lojtarët e tyre të bëjnë presing.

* 19′ Çekët pretendojnë penallti, por nuk është i këtij mendimi Entoni Tejlor. Berisha proteston te kryesori që sulmuesi rival të ndëshkohej me karton të verdhë për simulim. Por, anglezi i bën me shenjë që të godasë rivënien fundore.

* Temperatura 21 gradë në Pragë dhe qiell i pastër. Kushte optimale për lojtarët.

* Lojë e fortë në minutën e 29-të dhe gjyqtari po vendos standardin e Premier Ligës. Nuk ka faull të lehtë dhe në një moment merr dhe duartrokitjen e Silvinjos.

* 34′ Asllani shkakton faull ndaj Kutça, dhe kur ngrihen, mesfushori shkon t’i japë dorën, e cila mezi pranohet nga sulmuesi i Spartës së Pragës.

* Tre të parët që trajneri brazilian nxjerr në nxehje janë Gjasula, Veseli dhe Uzuni. Pas tyre ngrihen Daku, Muja dhe Muçi.

* “Shiko bërrylat”, i thotë Silvinjo gjyqtarit të katërt, gjatë kërcimeve në zonën kuqezi.

* Myrto Uzuni shfaqet me dorën e fashuar në nxehje. Edhe Ajeti bashkohet me të.

* 44′ Silvinjo shtrëngohet kur Bajrami tenton një kalim një kundër një me shpejtësi. Ndërkohë kritikon Seferin për një top të humbur në mesfushë. “Me mend në kokë”, i bën me gjeste braziliani. Për pak sa nuk pësuam.

* Në pushim lojtarët e stolit kuqezi nuk dalin në fushë, por janë në dhomat e zhveshjes. Tre minuta para nisjes ata shfaqen për të bërë disa pasime. Duket që Uzuni është bërë gati për t’u hedhur në fushë.

* 54′ Vërshëllima për Ismajlin që shtrihet dhe kërkon ndihmën e stafit mjekësor.

* 66′ Kuqezinjtë shpërthejnë në festë. Nedim Bajrami lëshon një perlë dhe barazon dhe shkon përqafon babanë në tribunën afër fushës, duke ia dedikuar atij golin.

* 69′ Debuton Arbnor Muja me fanellën kuqezi në vendin e Jasir Asanit.

* Zabaleta nuk përmbahet dhe u kërkon llogari lojtarëve. Silvinjo e tërheq.

* 82′ Uzuni dhe Gjasula thirren tri herë nga Silvinjo, por përgatitësi Iris Selimi dhe lojtarët nuk po kuptonin gjë. U desh të shkonte mjeku Stesina që t’ua u komunikonte nga afër.

* Katër shishe ujë ka konsumuar Silvinjo gjatë ndeshjes që i bie dy litra.

* Silvinjo dërgon Ervin Bulkun që të këshillojë Arbnor Mujën. Ndihmësi shkon me vrap dhe i jep këshillat e tij anësorit, i cili humbi një top që për pak sa nuk kushtoi golin.

* Në fund trajneri i Kombëtares i përqafon të gjithë dhe përshëndet tifozët./Panorama Sport

silvinjo trajneri i kombëtares shqiptare

Lini një Përgjigje