
Kombëtarja e Shqipërisë mund të përballet me ndryshime të rëndësishme gjatë verës, në një kohë kur kontrata e trajnerit Silvinjo me Federatën Shqiptare të Futbollit (FSHF) përfundon në muajin korrik. Deri më tani, nuk ka një vendim zyrtar nëse bashkëpunimi mes palëve do të vijojë apo do të ndërpritet.
Në këtë kontekst paqartësie, ish-lojtari i Kombëtares, Klodian Duro, ka shprehur publikisht interesin për të marrë drejtimin e ekipit përfaqësues. 48-vjeçari, aktualisht pa skuadër, ka dhënë një sinjal të drejtpërdrejtë ndaj FSHF-së, duke u “vetëofruar” për postin e trajnerit.
Së fundmi, Duro publikoi në rrjetet sociale një imazh të krijuar me Inteligjencë Artificiale, ku shfaqet si trajner i Shqipërisë. Ky veprim është interpretuar si një “sms” simbolike drejtuar Federatës, duke nënvizuar ambicien e tij për të marrë drejtimin e kuqezinjve.
Gjatë karrierës së tij si trajner, Duro ka drejtuar disa skuadra në Shqipëri dhe Kosovë, përfshirë Kukësin, Kamzën, Luftëtarin, Feronikelin, Lushnjën, Gjilanin dhe së fundmi Lirinë e Prizrenit në Ligën e Parë të Kosovës. Trofeu i vetëm i fituar prej tij mbetet Kupa e Shqipërisë me Kukësin në vitin 2016.
Si futbollist, ai numëron 77 paraqitje me Kombëtaren, duke u renditur i pesti në listën e lojtarëve me më shumë ndeshje, pas Elseid Hysajt, Lorik Canës, Etrit Berishës dhe Altin Lalës.
Megjithatë, posti i trajnerit të Kombëtares mbetet aktualisht i zënë. E ardhmja e Silvinjos është ende në pikëpyetje dhe çdo vendim për ndryshim pritet të merret pas përfundimit të kontratës së tij.

Lini një Përgjigje