
Zbigniev Boniek, një nga figurat më të njohura të futbollit polak, ka shprehur shqetësim për situatën aktuale në përfaqësuesen e Polonisë, vetëm pak ditë para përballjes me Shqipërinë në “play-off” për Kupën e Botës. Në një intervistë për mediat polake, ai kritikoi qasjen dhe vendimet e trajnerit Jan Urban, duke i cilësuar si të paqarta dhe kontradiktore.
Boniek ndaloi veçanërisht te mënyra e menaxhimit të rastit të Sebastian Valukievicz, i cili nuk u përfshi në listën e grumbullimit.
Sipas tij, komunikimi ka qenë konfuz dhe jo profesional: fillimisht është folur për një ftesë të mundshme, më pas është mohuar se trajneri kishte kontaktuar lojtarin, ndërsa më vonë ndërhyrjet kanë ardhur nga persona të tjerë në staf.
“Kjo nuk është mënyra si duhet të funksionojë një ekip kombëtar. Trajneri duhet të jetë ai që komunikon dhe merr përgjegjësi”, theksoi Boniek.
Ai kritikoi gjithashtu faktin që sqarimet publike janë dhënë nga zëvendëstrajneri dhe jo nga vetë trajneri Urban.
Vendime të diskutueshme për lojtarët:
Boniek ngriti pikëpyetje edhe për lënien jashtë të Jakub Piotrovski, duke e cilësuar si një vendim të pakuptueshëm.
Sipas tij, Piotrovski është aktualisht në formën më të mirë të karrierës.
Ai theksoi kontrastin me të kaluarën, kur lojtari ishte titullar edhe në periudha më të dobëta.
Kjo, sipas Boniek, tregon një ndryshim të pashpjegueshëm në vlerësimin e lojtarëve nga stafi aktual krahasuar me atë të mëparshëm.
Vlerësimi për Shqipërinë:
Në prag të ndeshjes, Boniek komentoi edhe përfaqësuesen shqiptare, duke e cilësuar si një skuadër në rritje nën drejtimin e Silvinjo.
Ai vuri në dukje organizimin e mirë në mbrojtje, vështirësitë në realizimin e golave, prirjen për të rrezikuar me goditje nga distanca.
Megjithatë, ai theksoi se Polonia mbetet favorite në këtë përballje.
Lini një Përgjigje