
Debutimi ndaj Anglisë në “Uembli” për eliminatoret e Kupës së Botës 2026 po troket. Shqipëria do të tentojë të shkruajë historinë për të kërkuar të parën pjesëmarrje në një Kupë Bote.
Megjithatë kur jemi vetëm 3 javë nga sfida e parë ndaj “Tre Luanëve”, situata duket shqetësuese për teknikun Silvinjo. Jo vetëm dëmtimet e shumta në repartin difensiv, por edhe sulmi po mban në ankth stafin e kuqezinjve, teksa aktualisht janë vetëm dy sulmuesit që aktivizohen në Superligën turke, Rei Manaj dhe Taulant Seferi që po luajnë rregullisht.
Në anën tjetër, disa sulmues të tjerë nga Kombëtarja po rikuperohen ose nuk kanë minuta në këmbë. Broja pësoi sërish dëmtim në janar, ndërsa pritet të rikthehet në mars, por gjendja e tij ende është misterioze duke e vënë kështu në pikëpyetje serioze prezencën e tij ndaj Anglisë më 21 Mars.
Tuci po ashtu është i dëmtuar prej fillimit të janarit ku luajti një miqësore me Malmon, ndaj është në dyshim nëse do të jetë apo jo pjesë e grumbullimit.
Kombëtarja do të vuajë po ashtu mungesën e minutave në këmbët e Uzunit dhe Dakut. Kampionati rus rifillon në mars dhe Daku pret mundësinë për të luajtur sërish ndeshje zyrtare.
Ndërkohë Uzuni i sapotransferuar në MLS amerikane, është në pritje të debutimit të tij në “tokën e premtuar”. 29-vjeçari kompletoi transferimin nga Granada tek Austin në Amerikë, por edhe për të mungojnë minutat që nga viti i kaluar, faktor ky që mund të ndikojë në performancën e tij në fushë në dy sfidat e para të ekipit tonë kombëtar, ndaj Anglisë dhe Andorrës.
Koha punon në krah të kundërt me Silvinjon dhe ekipin tonë përfaqësues, që pa lojtarët e saj kyç do ta kishte tepër të vështirë t'i bëjë një start sa më të denjë fushatës eleminatore të Kupës së Botës 2026.
Lini një Përgjigje