
Luciano Spalleti duhet t’i bëjë mirë llogaritë kundër Shqipërisë në sfidën e 15 qershorit në Dortmund.
Siç bën me dije “Gazzetta dello Sport”, mesfushori i Interit, Nicolo Barella do të mungojë në sfidën e radhës kundër Bosnje & Hercegovinës dhe sipas prestigjiozes italiane, shanset që ai të mungojë dhe kundër Shqipërisë janë të mëdha.
Ky është një lajm i mirë për kuqezinjtë e Sylvinhos, të cilët do të kenë një “problem” më pak sa i përket mesfushës.
Edhe pse në letër ka kundërshtarë të fortë si Spanja dhe Kroacia, dhe Europianin e nis duke sfiduar kampionët e Europës, Italinë, Silvinjo duket se beson se gjithçka është e mundur në futboll, nëse ekipi lufton fort në fushën e blertë.
Tekniku brazilian u ndal gjatë te kombëtarja e Luciano Spalletit, duke thënë se do të jetë një duel shumë i vështirë.
Tekniku ende nuk e ka të qartë 11-shen kuqezi që do të vendosë në fushë përballë axurëve, por tha se miqësorja me Azerbajxhanin do të shërbejë për t’i dhënë të gjithëve minuta dhe për të kuptuar se kush mund të luajë titullar në ndeshjen hapëse që luhet në Dortmund.
“Ne jemi duke zhvilluar përgatitjet për Euro 2024. Është një proces pune shumë i shpejtë për të gjithë ne. Kemi 7 ditë që stërvitemi dhe pa diskutim që ne po përgatitemi për duelin me Italinë. Nuk mund të them akoma se si do të luajë ekipi ndaj italianeve, pasi do të mendoj për një moment tjetër. Ndaj Azerbajxhanit do t’u jap mundësinë futbollistëve që nuk kanë minuta në këmbë, për të provuar skema të reja. Italia është skuadra kampione e Europës dhe është një duel shumë i vështirë. Po përgatitemi për t’u përballur me një prej skuadrave të forta në Botë, ashtu si Spanja dhe Kroacia. Ne duhet të shijojmë këtë pjesëmarrje të dytë siç është Euro 2024 dhe do të tentojmë të bëjmë më të mirën në këtë kompeticion. Pas Azerbajxhanit do të shikojmë se çfarë do të bëjmë në Gjermani.”, tha sot Silvinjo.
Lini një Përgjigje