
Shqipëria fiton edhe miqësoren e dytë në “Haladas Stadium” në Hungari. Kuqezinjtë dominuan Azerbajxhanin duke triumfuar me rezultatin e pastër 3-1.
Nedim Bajrami zhbllokoi takimin minutën e 12. Kuqezinjtë fituan topin në kundërsulm dhe Bajrami pasi iu afrua te zona, gjuajti nga distanca duke tundur rrjetën.
Në minutën e 38, Bajrami provoi supergolin nga goditja e dënimit, por topi u devijua mbi traversë nga portieri.
Në minutën e 67, Laçi pasoi në zonë për Manajn, i cili lëshoi një gjuajtje të fortë, por pa portierin t’i devijonte topin mbi traversë.
Në minutën e 81, kuqezinjtë realizuan edhe golin e qetësisë. Aksion nga e majta, Aliji pasoi për Manajn, i cili falë një devijimi gjeti rrjetën.
Në minutën e 87, djemtë e drejtuar nga Silvinjo trefishuan shifrat. Kundërzbritje e Bajramit në të majtën, topi shkoi te Laçi, i cili shmangu mbrojtësit dhe lëshoin një gjuajtje të fortë që u ndal në rrjetë.
Në minutën e 90, azerët ngushtuan shifrat, por goli i tyre vlejti vetëm për statistikë. Pas zhvillimit të një goditje dënimi, topi shkoi te Gurbanli, i cili me portën bosh shtyu topin në rrjetë.
Më 15 qershor, Shqipëria do të luajë ndeshjen e parë zyrtare në “EURO 2024”. Kuqezinjtë do të përballen me Italinë në stadiumin e Dortmundit në orën 21:00.
Lini një Përgjigje