
Federata Shqiptare e Futbollit ka njoftuar se të hënën do të hapet procesi i aplikimit për tifozët shqiptarë që dëshirojnë të sigurojnë bileta për ndeshjen Poloni – Shqipëri. Takimi, i vlefshëm për play-off të Botërorit 2026, do të zhvillohet më 26 mars në Varshavë.
Sipas njoftimit të FSHF-së, për shkak të numrit të kufizuar të biletave në dispozicion për tifozët kuqezi, përzgjedhja e aplikantëve do të bëhet përmes një shorti elektronik. Procesi do të realizohet nëpërmjet platformës t-Ticket.
Tifozët që dëshirojnë të aplikojnë duhet të regjistrohen paraprakisht në platformë, duke krijuar një llogari personale ose duke përdorur një llogari ekzistuese. Çdo aplikant do të ketë të drejtë të aplikojë vetëm për dy bileta dhe nuk do të ketë mundësi të kërkojë më pak apo më shumë.
Procesi i aplikimit do të qëndrojë i hapur për 48 orë. Pas përfundimit të këtij afati, sistemi do të përzgjedhë në mënyrë rastësore aplikantët fitues.
Të përzgjedhurit do të njoftohen përmes email-it, ku do të marrin një lidhje të personalizuar për të përfunduar pagesën e biletave. Pagesa duhet të kryhet brenda 24 orëve nga momenti i marrjes së njoftimit.
Pas përfundimit të pagesës, tifozët fitues do të marrin një link për të aksesuar biletat e tyre. Biletat do të jenë të disponueshme për shkarkim në aplikacionin zyrtar “Mobilny System Biletowy”.
Lini një Përgjigje