
Është hedhur ditën e sotme në Nion të Zvicrës shorti për kualifikueset e Europianit U-21 të vitit 2027. Kujtojmë që ky turne kontinental i moshave do të organizohet për herë të parë nga Shqipëria, në bashkëpunim me Serbinë.
Në fushatën kualifikuese për “Shqipëri dhe Serbi 2027”, Kombëtarja U-21 nuk do të marrë pjesë, pasi është e kualifikuar direkt si vend organizator.
Në këto eliminatore ndërkohë merr pjesë Kosova, e cila ka njohur tashmë kundërshtarët e saj me të cilët do të përballet që nga marsi i vitit 2025, kohë kur fushata nis.
Përfaqësuesja “Dardane” është shortuar në grupin A me rivalë të fortë. Grupi i Kosovës U-21 ka 6 skuadra, ku spikatin Spanja dhe Rumania. Dihet rivaliteti me rumunët, duke nisur që nga përplasja e të rriturve në Ligën e Kombeve. Tensionet ende nuk janë shuar dhe “dardanët” e vegjël do të kërkojnë “hakmarrjen” ndaj ballkanasve.
Iberikët shquhen për fitimin e kompeticioneve të grupmoshave dhe tek 21-vjeçarët kanë plot talente që do t’i hapin punë Kosovës në rrugën për t’iu bashkaur Shqipërisë në këtë turne madhështor.
Grupi plotësohet nga Finlanda, Qipro dhe San Marino, kundërshtarë të kalueshëm për Kosovën.
Fushata e eleminatorëve do të nisë më 17 mars të këtij viti e do të përfundojë më 6 Tetor të vitit të ardhshëm, ndërsa faza “play off” do të zhvillohet 9-17 nëntor të vitit 2026.

Lini një Përgjigje