
Andri Shevçenko po përgatitet të revolucionarizojë sistemin e arbitrimit brenda Federatës së Futbollit të Ukrainës dhe lajmi i parë duket si një trillim i pastër fantastiko-shkencor. Ish-lojtari i Milanit do t’i “skanojë” të gjithë gjyqtarët e futbollit në vend përmes testit të poligrafit, i njohur më mirë si “detektor gënjeshtrash”.
Duket absurde, por është vetëm hapi i parë i një ndryshimi rrënjësor të tij si president i federatës për të luftuar korrupsionin dhe rrezikun e ndikimit negativ të arbitrave në ndeshje. Poligrafët janë instrumente që matin ndryshimet në parametrat vitalë të një personi, që i kërkohet për t’iu përgjigjur pyetjeve të caktuara.
Presioni dhe rrjedha e gjakut, frekuenca e frymëmarrjes dhe djersitja ndryshojnë vlerat e tyre në bazë të fjalive të thëna dhe nga ato numra mund të përcaktohet nëse personi konkret thotë të vërtetën apo jo. Mund të duket e tepruar, por kjo është rruga e zgjedhur nga futbolli ukrainas për të pasur më shumë siguri mbi klasën arbitrale.
Siç raportohet nga “The Athletic”, objektivi kryesor është shmangia e akuzave për paragjykim dhe përmirësimi i standardeve, por edhe për të ndihmuar në çrrënjosjen e korrupsionit, ryshfetit dhe madje rrezikut të trukimit të ndeshjeve, në mënyrë që të shmanget kthimi në një periudhë të errët.
Përdorimi i “detektorëve të gënjeshtrave” është vetëm risia më e fundit e prezantuar nga Federata Ukrainase e Futbollit për të monitoruar gjyqtarët e saj. Zyrtarët e ndeshjeve do të caktohen përmes një sistemi inovativ, krejtësisht i rastësishëm. Në praktikë, emrat do të hidhen ditë pas dite sikur të ishte një lloj llotarie.
Nuk do të ketë asnjë lloj vlerësimi për të caktuar gjyqtarët më të mirë në ndeshjet më të rëndësishme, por gjithçka do të jetë krejtësisht e rastësishme. “Ne po fillojmë nga e para, – komentoi Shevchenko, – e shohim poligrafin si një mundësi për të marrë më shumë informacion, për të kuptuar se me cilët gjyqtarë mund të punojmë dhe me cilët jo”.
Lini një Përgjigje