
Kilian Mbape ishte protagonist duke tundur rrjetën në natën e Shën Valentinit në Paris, në ndeshjen që klubi i PSG luante kundër Real Sociedad në raundin e 1/16 të Champions League. Por ky ka qenë një Shën Valentin i hidhur për klubin francez, pasi kjo mund të jetë ndër herët e fundit që shohin sulmuesin të gëzojë në arenën më të rëndësishme europiane me fanelën e tyre.
“RMC” dhe “The Athletic” kanë zbuluar nga burime pranë klubit francez se Mbape ka respektuar plotësisht paktin që kishte bërë me presidentin Naser Al Khelaifi dhe para se të luhet kjo sfidë e parë e fazës me eliminim direkt në Champions, ka komunikuar zyrtarisht vendimin për largimin e tij në fund të sezonit.
Palët kishin arritur prej kohësh këtë akord, në mënyrë që të mos kthehej përsëri në një telenovelë si dy vite më parë. Kështu, Mbape ka bërë zyrtar vendimin e tij për t’u larguar nëpërmjet komunikimit me presidentin, i cili nuk ka arritur ta bindë që të rinovojë.
Tashmë pritet që lajmi të bëhet zyrtar nga palët edhe publikisht, ashtu si edhe të mësohet se ku do të jetë e ardhmja e sulmuesit, i cili është prej kohësh në negociata me Realin e Madridit, por nuk ka ende një akord financiar me madrilenët.
Kjo do të ndezë një garë të madhe për shërbimet e Mbape në të gjithë Europën. Liverpuli dhe Arsenali janë lidhur me sulmuesin, ashtu si edhe Bajerni i Mynihut.
Klube të tjera si Barcelona dhe Mançester Siti do ta vëzhgojnë nga afër situatën.
Por paga e Mbape mund të jetë pika kryesore e pengesës për shumicën e kërkuesve të tij. Besohet se ai aktualisht fiton pothuajse 900,000 £ në javë në kryeqytetin francez.
Lini një Përgjigje