TAGS-AT E JAVËS

Sport15 Tetor 2025, 18:22

Rivali i mundshëm i Shqipërisë dhe Kosovës në “play off-in” e Botërorit, kombëtarja e njohur ndan rrugët me trajnerin

Shkruar nga Pamfleti

Rivali i mundshëm i Shqipërisë dhe Kosovës në

Çekia ka humbur thuajse përfundimisht mundësinë që të shkojë direkt në Botërorin 2026 pas humbjes turpëruese që përjetoi përballë Ishujve Faroe këtë të hënë. Dhe ndonëse skuadra e ka thuajse të sigurt vendin e dytë në grup dhe pjesëmarrjen në “play-off”, pasi do të luajë në ndeshjen e fundit kundër Gjibraltarit, kjo humbje nuk është kapërdirë nga drejtuesit e Federatës Çeke.

Mbledhja e bordit drejtues të Federatës sot, ka marrë vendimin për shkarkimin e menjëhershëm të trajnerit Ivan Hashek, ashtu si edhe të ndihmësit të tij, Jaroslav Veseli. Bordi drejtues ka vlerësuar se kjo ishte gjëja më e përshtatshme për t’u bërë pas një humbjeje ndaj një përfaqësueseje si Ishujt Faroe.

Në ditët në vijim do të përzgjidhet edhe trajneri i ri, i cili do të drejtojë ekipin në miqësoren ndaj San Marinos dhe ndeshjen ndaj Gjibraltarit, në të cilën objektivi padyshim janë fitorja dhe përgatitja për pjesëmarrjen në “play-off”. Sipas situatës aktuale, Çekia do ta shihte veten në vazon e dytë për shortin e fazës “play-off”, duke pasur mes kundërshtarëve të mundshëm në gjysmëfinale Shqipërinë dhe Kosovën.

ivan hashek federata çeke

Lini një Përgjigje