
Reali i Madridit ka fituar 0-3 në transfertën ndaj Atletikos së Bilbaos në “San Mames”. Madrilenët gjetën avantazhin që në minutën e 7.
Pas një asisti të marrë nga Aleksandër-Arnold, i pari për të në La Liga, Kilian Mbape tregoi gjithë klasin e tij, duke marrë i vetëm topin pak më shumë se nga gjysma e fushës dhe pasi shmangu bukur tre nga lojtarët vendas, dërgoi topin në portën e Unai Simon. Me golin e shënuar sot, Kilian Mbape ka barazuar rekordin e Kristiano Ronaldos të vitit 2012 me më shumë gola në një vit kalendarik (61 gola).
Në minutën e 30, Aleks Berenguer humbi një shans të artë për të barazuar shifrat, por Tibo Kurtua u tregua i jashtëzakonshëm me pritjen e tij. Në minutën e 38, Vinicius Zhunior humbi po ashtu një rast ideal për të dyfishuar shifrat.
Në minutën e 42, erdhi goli i dytë i Realit, pas një aksioni të gjatë dhe në fund Mbape asistoi me kokë, Eduardo Kamavinga po ashtu dërgoi me kokë topin në rrjetë. Pjesa e parë u mbyll 0-2 për madrilenët.
Në minutën e 59, Mbape shënoi një gol spektakolar me një goditje klasi nga distanca. Rezultati final, 0-3 për Realin e Madridit, që rikthehet te fitorja pas 3 barazimesh radhazi dhe i jep fund zërave për një shkarkim të Çabi Alonsos, në rast se nuk do fitonte sot.
Lini një Përgjigje