
Humbja që Kosova i shkaktoi Sllovenisë në Lubjanë ishte fatale për trajnerin Matjaz Kek, pasi Federata e Futbollit të Sllovenisë vendosi të mos e vazhdojë më bashkëpunimin me të.
Lajmi për largimin e tij u bë i ditur të hënën, ndërsa tani vetë Kek, në një intervistë për median e njohur kroate “Sportske Novosti”, ka folur edhe për Kombëtaren e Kosovën.
Ai shprehu dëshirën që Kosova të jetë pjesë e Kampionatit Botëror që vitin e ardhshëm do të zhvillohet në SHBA, Kanada dhe Meksikë.
“Tani që Sllovenia nuk është në Botëror, nuk kam probleme se për kë të bëj tifo. Çdo gjë është më e lehtë. Dëshiroj që edhe Bosnjë-Hercegovina të kualifikohet, edhe Kosova le të kalojë”, deklaroi ai.
Gazetari kroat i kujtoi se Kosova e eliminoi Slloveninë nga gara për Botërorin dhe trajneri e pranoi faktin.
“Po, është e pakëndshme që na ka mposhtur 2-0 në Lubjanë. Para kësaj ndeshjeje kemi luajtur në Prishtinë ndeshjen më të mirë dhe kemi fituar”.
Ndeshja e tetorit në Prishtinë përfundoi pa gola, me sllovenët që krijuan më shumë raste shënimi.
Në përfundim të kualifikueseve, Kosova u rendit e dyta dhe siguroi pjesëmarrjen në 'play-off-in' e marsit, ndërsa Sllovenia përfundoi në vendin e tretë.
Kek vlerësoi nivelin e Kosovës dhe mënyrën se si funksionon ekipi.
“Më ka treguar se si mund të funksionojnë vendet e vogla, me bazë më të vogël të lojtarëve, por me kualitet shumë të mirë. Ka fituar shumë lojtarë që luajnë në Gjermani, Spanjë.
Kur i ke 7-8 të tillë, formon ekip shumë të mirë. Për mua ishte dëshpëruese, por në anën tjetër e pranoj që te Kosova ishin më të mirë”, ka thënë Kek mes tjerash.
Kujtojmë se Kosova në gjysmëfinalen e ‘play-off-it’ luan me Sllovakinë në Bratislavë dhe nëse fiton këtë ndeshje, pret Turqinë ose Rumaninë në finale, e cila vendos kush do të kualifikohet në Botëror.
Lini një Përgjigje