
Kombëtarja shqiptare do të zbresë në fushën e Volksparkstadion të Hamburgut, në orën 15:00 të së mërkurës, ku do të përballet me Kroacinë, në ndeshjen e dytë të vlefshme për grupin B.
Të dy ekipet vijnë në këtë përballje, pas humbjeve në ndeshjen e parë, kuqezinjtë përballë Italisë dhe Kroacia përballë Spanjës. Këtë ndeshje, kroatët e shohin si “jetë a vdekje” për të marrë fitoren e parë, teksa edhe kuqzinjtë do të mundohen të marrin pikë.
Së fundmi, UEFA ka zbuluar edhe emrin e arbitrit që do të gjykojë sfidën ballkanase në “EURO 2024”. Francezi Fransua Leteksie është përzgjedhur nga qeveria e futbollit evropian.

Ky i fundit ishte arbitër i 4-të në sfidën hapëse të Euro 2024 mes Gjermanisë dhe Skocisë, takim që u fitua 5-1 nga gjermanët. Gjithashtu 35-vjeçari ka qenë arbitër i katërt edhe në finalen e Champions League mes Realit të Madridit dhe Borusias së Dortmundit.
Ai do të ndihmohet nga bashkatdhetarët Siril Mugnier dhe Mehdi Rahmuni, ndërsa arbitri i katërt është zvicerani Sandro Shaler. Edhe arbitri i VAR-it do të jetë francez. Uilli Delajod do t’i besohet dhoma e VAR, ndërsa asistent ka bashkëkombësin Zherom Brisard dhe gjermanin Basrian Dankert.
Sa i përket kryesorit, Leteksie është 35 vjeç dhe konsiderohet si një nga arbitrat më të mirë të brezit të ri në Evropë. Ai ka filluar të arbitrojë në klasën elitare të futbollit francez në vitin 2016. Që nga viti 2017 ai është në listën e arbitrave të FIFA-s, ndërsa aktualisht është edhe pjesë e listës elitare të bilbilave të UEFA-s.

Lini një Përgjigje