
Çelsi ka fituar 3-2 ndaj Uest Hemit, në derbin londinez të luajtur në “Stamford Bridge”, i vlefshëm për javën e 24 në Premier Ligë. Derbi u zhbllokua që në minutën e 7, Aron Uan-Bisaka krosoi, Xherrod Bouen shtyu topin në rrjetë.
Në minutën e 36, Uest Hemi shënoi golin e dytë pas një kundërsulmi dhe kombinimi perfekt mes Bouen, Uan-Bisaka dhe Samërvill, ky i fundit dërgoi topin në rrjetë. Pjesa e parë u mbyll 0-2 për Uest Hemin.
Liam Rosenior e nisi me 3 zëvendësime direkt pjesën e dytë, u futën Kukureja, Zhoao Pedro dhe Fofana, të cilët direkt ndryshuan lojën e “Bluve”. Në minutën e 57, Uesli Fofana krosoi në zonë, Zhoao Pedro shënoi me kokë.
Në minutën e 70, Mark Kukureja ndoqi bukur aksionin dhe shënoi me kokë, duke barazuar shifrat 2-2. Në minutën e 92, Enzo Fernandez shënoi golin e fitores së madhe, pas asistit të Zhoao Pedro.
Në fund të shtesës pati një përplasje të ashpër në fushë mes lojtarëve të të dyja skuadrave, Zhan-Kler Todibo u ndëshkua me karton të kuq. Çelsi fiton 3-2 dhe renditet në vendin e 4 me 40 pikë, ndërsa Uest Hemi mbetet në vendin e 18.
Lini një Përgjigje