
Superkompjuteri i “Opta” ka ndryshuar parashikimin për favoritët e Ligës së Kampioneve, pas ndeshjeve të dyta të Fazës së Ligës. Analiza e të dhënave nga 18 ndeshjet e fundit ka sjellë ndryshime në renditjen e ekipeve, duke rikthyer vëmendjen nga Liverpuli drejt… Arsenalit.
Pra nga “Anfield Road” zhvendoset tashmë gjithçka, në veri të Londrës. Ekipi i Mikel Artetës mund të thuhet se deri tani ka përqindjen më të lartë pozitive të mundësisë për triumf, mes 36 skuadrave të fazës aktuale të kompeticionit. Bëhet fjalë për rreth 18% mundësi për “Topçinjtë”, që kanë arritur dy fitore 2-0 në javët e para.
Teksa Liverpuli, që humbi në Stamboll, si dhe PSG, fituese në Barcelonë, e mbyllin podiumin respektivisht me 14.7% dhe 13.96%. Ndërkohë që pas tyre renditen Mançester Siti dhe Bajerni i Mynihut. Anglezët vijnë pas barazimit ndaj Monako, kurse gjermanët arritën një fitore të thellë ndaj qipriotëve të Pafos.
Ekipet spanjolle, Barcelona dhe Reali i Madridit renditen të gjashtët dhe të shtatët. Skuadrës katalanase i jepen 8.25% shanse, kurse Realit të Madridit vetëm 4.94%, pavarësisht se ndan kreun e golashënuesve të fazës së grupeve me Bajernin e Mynihut, kampion i Gjermanisë.
Lini një Përgjigje