
Futbolli të jep gjithmonë atë që meriton, herët a vonë. Diçka e tillë i ka ndodhur edhe Klisman Cakes, mbrojtësit qedror të Shkëndijës së Tetovës, i cili në moshën 26-vjeçare është ftuar për herë të parë në Kombëtaren A të Silvinjos.
Mungesa e Kumbullës prej dëmtimit dhe dyshimi për një lëndim edhe të Ismajlit, ka bërë që trajneri të hedhë sytë tek emrat e rinj. Padyshim Cake e ka merituar ftesën pasi në sezonet e fundit është në formacionet e vitit në vendin fqinj me Shkëndijën.
I lindur në Pogradec më 2 maj 1999, Cake është lidhur herët me futbollin. Në janarin e 2016 ai u bashkua me ekipin U-17 të Tiranës dhe pas vetëm një sezoni e gjeti veten në ekipin e parë. Aty djaloshi ia doli të luante për dy sezone, ndërsa klima te bardheblutë e largoi drejt Strugës në shtatorin e vitit 2019.
Veç sportit, Cake ndoqi edhe studimet në vendin fqinj, duke mos harruar dashurinë e vjetër, futbollin. Tre vite me Strugën dhe Cake ra në sy për mbrojtjen 'e hekurt', daljet në sulm, vertikalizimet dhe pasimet deçizive, sidomos me të jashtmen.
Kaq u desh që klubi më në formë i Maqedonisë së Veriut, Shkëndija e Tetovës, ta afronte në ekip më 1 tetor 2022. Për tre vite me kuqezinjtë, Cake siguroi vendin e titullarit dhe tashmë është pjesë e grupeve të Ligës së Konferencës me ekipin e tij.
Fakti që luan në garat europiane me Shkëndijën është një tjetër “armë” plus e Cakes që arriti të marrë vëmendjen e trajnerit të Kombëtares shqiptare, me pogradecarin që tashmë do të jetë në pritje të minutave të para për të bërë debutimin me Kombëtaren shqiptare.
3 tetori 2025 do mbetet gjatë në memorien e tij, pasi për herë të parë Silvinjo e fton në ekipin A të Shqipërisë. Në vitin 2018 ai debutoi me ekipin U-21 dhe ka koleksionuar tre takime.
Mosbesimi i Tiranës në rininë e hershme nuk e stepi djaloshin, që pas gjashtë vitesh e sheh veten titullar me ekipin e tij dhe një ftesë të merituar në Kombëtare. Mirë se rikthehesh Klisman! Fati yt me futbollin është i lidhur që në emrin që mban, atë të legjendës gjermane të sulmit.
Lini një Përgjigje