
Piloti australian i garave të shpejtësisë, Xhoei Mauson, është personi i akuzuar për përdhunimin e njërës prej infermiereve të Majkëll Shumaker në rezidencën e shtatë herë kampionit të botës në Formula 1. Një aktakuzë pretendon se Mauson sulmoi infermieren në rezidencën e familjes Shumaker në Gland të Zvicrës.
Mauson thuhet se është mik i djalit të Shumakerit, Mik, i cili vetë është një pilot që arriti në Formula 1 dhe dyshja kanë garuar kundër njëri-tjetrit gjatë karrierës së tyre. Mediat zvicerane raportuan se një gjyq filloi të mërkurën për të dëgjuar pretendimet e bëra në një aktakuzë prej 1 faqe e gjysmë të hartuar nga Zyra e Prokurorit Publik të Distriktit të “La Côte”.
Procedurat u shtynë për “një datë që do të caktohet më vonë” pasi Mauson nuk u paraqit në gjykatë. Patrik Mishod, avokati i ankueses, thuhet se kundërshtoi shtyrjen, duke argumentuar se provat kundër të pandehurit ishin “të pakontestueshme”.
Mauson, dy herë fitues i Kampionatit Australian të Pilotëve S5000, aktualisht po vuan një ndalim tre-vjeçar nga sportet motorike pas një testi pozitiv për drogë në maj të vitit 2023. Ai pranoi se kishte marrë substancën e ndaluar meldonium, por tha se e kishte bërë këtë pa e ditur se ishte e ndaluar, as me qëllim përmirësimin e performancës së tij në drejtim.
Ai ende nuk ka komentuar publikisht mbi pretendimet për përdhunim, por raportohet se mohon çdo shkelje. Raporti shton se Mauson pretendoi se kishte një marrëdhënie të ngushtë dhe konsensuale me viktimën e supozuar dhe se ata ishin puthur më parë në një klub nate në Gjenevë.
Akuzat datojnë që nga viti 2019, me një padi penale të paraqitur tre vjet më parë (2022).
Në aktakuzë thuhet se infermierja, një ish-kujdestare e drejtpërdrejtë për Majkëll Shumakerin që ndodhet në gjendje kritike, është përdhunuar ndërsa ishte shtrirë pasi kishte konsumuar disa koktejle me vodka.
Raportohet se përdhunuesi i saj i dyshuar ka qendruar në shtëpinë e familjes Shumaker natën në fjalë. Asnjë anëtar i familjes Shumaker nuk është i përfshirë në këtë rast.
Në aktakuzë thuhet se sulmi i dyshuar ndodhi më 23 nëntor 2019, pasi infermierja dhe piloti u kryqëzuan në dhomën e bilardos së familjes Shumaker. Raportohet se ajo filloi të ndihej keq pasi piu disa koktejle me vodka dhe iu desh të shtrihej në dysheme përpara se disa nga kolegët e saj ta çonin në shtrat.
Në dokumentet e gjykatës thuhet se e kanë shtrirë infermieren “pa e zhveshur” dhe e kanë lënë në gjumë, me dritat ndezur.
Pak më vonë, piloti u kthye në dhomë dhe e përdhunoi dy herë, thuhet se këtë e pohojnë dosjet. Raportohet se piloti Mauson u ka thënë prokurorëve vitin e kaluar se kishte pasur një marrëdhënie konsensuale midis çiftit dhe se ata ishin puthur në një klub në Gjenevë.
Ajo u tha se mohoi se ai kishte qenë për të diçka më shumë sesa një mik i familjes Shumaker.
Shtatë herë kampioni i botës në Formula 1, Majkëll Shumaker, nuk është parë në publik që kur ra në koma pas një aksidenti me ski në vitin 2013. Ai ka nevojë për kujdes të vazhdueshëm. / “The Telegraph”
Lini një Përgjigje