U çel këtë të enjte në Tiranë, në ambientet e Muzeut Kombëtar ekspozita mbi jetën dhe aktivitetin e Paolo Rosit (1956-2020), ish-sulmuesit kampion të Italisë që u nda nga jeta tre vite më parë në moshën 64-vjeçare. Veç sendeve të Rosit, në këtë ekspozitë (nga 1-24 shkurt) do ketë edhe objekte të legjendave të futbollit botëror dhe atij shqiptar.
Të pranishëm në hapjen e ekspozitës ishin figura të njohura të sportit në vend dhe jo vetëm. Mes tyre ishte edhe trajneri i njohur, Arrigo Saki dhe Ambasadori i Italisë në Shqipëri, Fabricio Buçi.
I pranishëm në ceremoninë hapëse, kryeminsitri Edi Rama nuk i kurseu batutat me ish-trajnerin legjendar Arrigo Saki, teksa shtoi se Rosi i ka falur buzëqeshje me lojën e tij. Ai shtoi se në Shqipërinë komuniste të viteve kur Rosi ishte në aktivitet, futbolli nuk ishte vetëm një lojë që zgjaste 90 minuta, por një mundësi për të parë botën e lirë që iu ishte ndaluar nga regjimi.
"Do flas në italisht, së pari për të nderuar Paolo Rosin dhe së dyti përballë një perfeksionisti si Saki nuk mund t'ia lë përkthyesit, që mund të bëhen edhe "tradhtarë". Jam i kënaqur që erdhi ky moment për të hapur dyert, për të mirëpritur këdo që duan të shohin këtë ekspozitë. Ne këtu kemi përjetuar futbollin në një mënyrë shumë të ndryshme. E kemi shijuar futbollin dhe titullin e Italisë në vitin 1982 ndryshe, sepse ne ishim jashtë bote, nuk mund të udhëtonim dhe nuk shihnim dot televizion, veçse propagandës së regjimit. E vetmja dritare e hapur si me magji ishte kur rrjetet 'e errëta' të RAI-t transmetonin futbollin.
Për këtë arsye futbolli na shpëtonte dhe ai lejohej. Kështu ne shihnim RAI-n dhe futbollin. Në Shqipëri kishte dy grupe të mëdha me Italinë dhe Gjermaninë dhe disa të tjerë me kombet e tjera. E dinim se në çdo shtëpi ku kishte televizor, ishin si shkallë stadiumi ku tifozët bënin tifo. Futbolli nuk ishte vetëm topi dhe ndeshja për ne, ishte imazhi i një bote tjetër. Ishte mundësia për të parë një pasqyrë që lëvizte, një ëndërr e ndaluar.
Mendoni për ne dhe mua që të ishit ju këtu, yje të futbollit në Itali. Unë në ato vite shkoja te një mik sepse kishte TV me ngjyra. E kishte TV në kuzhinë dhe aty mbushej plot me njerëz, ne nuk e imagjinojmë që jeni këtu. Me të padrejtë e thatë se ishte ide e imja, nuk bëj pjesë në këtë ide që ishte më shumë e juaja. Ideja ishte e mjeshtrit Saki. Më ka shkruar dhe më tha për këtë ide, u ndjeva krenar se e di që Saki nuk është një person i lehtë dhe nuk para bën ndere dhe thotë atë që mendon. Ju falenderoj "mister" që keni patur këtë ndjeshmëri dhe na keni sjellë këtë ekspozitë. Falenderoj edhe bashkëshorten e Rosit dhe Dukën që e kuptoi kërkesën time menjëherë.
Falenderoj edhe Gravinën, kreun e futbollit në Itali, që ka katër herë që vjen në Tiranë dhe nuk më ka takuar. Mund edhe të na takojë ne të vdekshmëve të zakonshëm. Më pëlqen fuqia bindëse e Sakit. Dua të ftoj të gjithë të vijnë të ndjekin këtë ekspozitë. Futbolli hyn në çdo shtëpi, të paktën nga një anëtar i familjes. Forca e futbollit nuk është vetëm në atë çka ndodh për 90 minuta. Futbolli ndryshon kultura dhe Paolo Rossi shkoi tej limiteve pa e humbur buzëqeshjen. Shkoi nga kjo botë me buzëqeshje dhe pa lënë asnjë tatuazh nga varri", tha Edi Rama.
Lini një Përgjigje