
AF Elbasani është skuadra e dytë që siguron matematikisht pjesëmarrjen në “Final Four” në Abissnet Superiore, edhe pse kanë mbetur katër javë nga përfundimi i sezonit të rregullt.
Verdheblutë e arritën këtë objektiv pas fitores 2-1 ndaj Teutës, në ndeshjen e zhvilluar në stadiumin “Niko Dovana” në Durrës. Me këtë sukses, Elbasani ngjitet në kuotën e 59 pikëve, duke ruajtur vendin e dytë në renditje dhe duke siguruar vazhdimësinë në garën për titull.
Takimi, i vlefshëm për javën e 32-të të Superiores, u karakterizua nga një pjesë e parë më e mirë për vendasit, ndërsa në fraksionin e dytë Elbasani reagoi dhe arriti të përmbysë rezultatin.
Pas ndeshjes, trajneri i Elbasanit, Ivan Gvozdenoviç, u shpreh për mediat se kualifikimi në “Final Four” është një arritje e rëndësishme për ekipin, sidomos duke pasur parasysh mungesat.
Sipas Gvozdenovic, skuadra kaloi një moment të vështirë për shkak të mungesave, por arriti të përmbushë objektivin minimal sezonal. Ai theksoi se pjesa e parë nuk ishte në nivelin e duhur, ndërsa në të dytën pati përmirësim të dukshëm në lojë.
Trajneri evidentoi gjithashtu paraqitjen e disa lojtarëve, duke veçuar rolin e Qoses në skemën taktike dhe kontributin e Bunjakut. Ai pranoi se Teuta ishte më e mirë në 45 minutat e para dhe shtoi se, në fund, edhe barazimi do të ishte një rezultat i drejtë.
“Jemi zyrtarisht në Final Four dhe kjo është shumë e rëndësishme për ne. Ishte moment i vështirë për ne, sepse kishim shumë mungesa. I lumtur për djemtë, arritëm objektivin për të luftuar për titullin.
Një e mirë për të gjithë. Sot ishte një shans për Qosen. E filluam me 4-2-3-1. Mbas minutës së 20-të, Qose ishte si numër ‘10’. Në pjesë e parë nuk ishim mirë.
Në fraksionin e dytë, bëmë më mirë. Teuta luajti më mirë në 45 minutat e para se sa ne. Bunjaku bëri mirë. Dihet që Lajthia është mungesë e madhe për ne. Edhe barazimi do të ishte rezultati i drejtë, sot ishim me fat”, u shpreh Ivan Gvozdenoviç.
Lini një Përgjigje