
Franco Foda do të jetë trajneri i ri i Kombëtares së Kosovës.
Mediat gjermane raportojnë se ish-trajneri i Kombëtares së Austrisë ka vizituar së fundmi edhe Prishtinën për tu njohur me kushtet e punës në Federatën e Futbollit të Kosovës (FFK).
57-vjeçari gjerman e ka kaluar karrierën e tij menaxheriale kryesisht në Austri. Ai ka qenë në krye të Sturm Graz-it, si në ekipin e parë ashtu edhe në atë të dytë, për një kohe shumë të gjatë, duke nisur nga viti 2002 deri në 2012.
Më pas ai kaloi te skuadra gjermane, Kaiserslautern, për tu rikthyer sërish pas një viti te Sturm Graz-i. Pas një periudhe tre-vjeçare me këta të fundit, Foda kaloi ne krye të Kombëtares austriake.
Në stolin e Austrisë, ai qëndroi nga viti 2017 deri në 2022. Kjo pasoi me një periudhë të shkurtër te Zurich-u në Zvicër para se të largohej në shtatorin e 2022. Që nga ajo kohë, Foda nuk drejton asnjë ekip.
“Foda thuhet se tashmë ka qenë në Prishtinë për të negociuar bashkëpunimin e mundshëm me shoqatën kombëtare të Kosovës. Një vendim përfundimtar ndoshta mund të vijë në ditët në vijim”, thuhet në mediat austriake.
Gjermani ka fituar tre trofe në karrierën e tij si trajner, duke rrëmbyer kështu titullin kampion në Austri dhe Kupën e Austrisë me Sturm Graz-in. Teksa me ekipin e dytë të Sturm Graz-it ka fituar Steiermark League Champion.
Përsa i përket statistikave në karrierën e tij, me klubet dhe Austrinë, Foda ka drejtuar në 633 ndeshje duke fituar 286, barazuar 141 dhe humbur 206. Ai ka grumbulluar mesatarisht 1.58 pikë për ndeshje.
Me Kombëtaren e Austrisë, gjermani grumbulloi 48 ndeshje, duke arritur 27 fitore, gjashtë barazime dhe 15 humbje. Mesatarisht mori 1.81 pikë për ndeshje. Ai e drejtoi gjithashtu ekipin drejt kualifikimit në Euro 2020.
Lini një Përgjigje