
Kombëtarja shqiptare do të udhëtojë më 26 mars drejt Polonisë, duke u përballur me një sfidë të njohur historikisht: luftën për një vend në Kupën e Botës. Përballja me polakët rikthen në kujtesë një tjetër moment të rëndësishëm për futbollin shqiptar, atë të vitit 1984.
Në atë kohë, Shqipëria luante në kualifikueset e Botërorit “Meksikë ’86”, duke u ndeshur në qytetin e Mielecit me një nga skuadrat më të forta të Europës.
Polonia e asaj periudhe përfaqësohej nga emra të mëdhenj si Zbigniev Boniek, kampion Europe me Juventusin, si dhe lojtarë të tjerë të spikatur si Zmuda, Xhiekanovski dhe Smolarek. Pjesa më e madhe e kësaj skuadre kishte arritur vendin e tretë në Botërorin e vitit 1982.
Megjithatë, përfaqësuesja shqiptare nuk u step përballë këtij kundërshtari.
Ish-futbollisti Agustin Kola kujton atmosferën e asaj kohe:
“Kur shkonim jashtë, mendonim edhe për gjëra të tjera, por në fushë jepnim maksimumin. Nuk kishim presion nga trajneri.”
Në atë ndeshje, Kola shënoi në minutën e 75-të, duke i dhënë Shqipërisë avantazhin e përkohshëm. Takimi përfundoi në barazim 2-2, një rezultat që mbetet ndër më të rëndësishmit në historinë e kombëtares.
Pas barazimit në Poloni, Shqipëria arriti të mposhtë Belgjikën në Tiranë, duke hyrë për herë të parë në garë reale për një kualifikim në Botëror. Megjithatë, humbja ndaj Greqisë më pas i dha fund këtij rrugëtimi dhe ëndrra mbeti e parealizuar.
Pas më shumë se katër dekadash, historia përsëritet. Shqipëria e drejtuar nga Silvinjo, me lojtarë si Asllani, Broja dhe Muçi, përballet sërish me Poloninë në një moment kyç të kualifikueseve.
Sipas Agustin Kolës, këtë herë balanca psikologjike mund të jetë ndryshe:
“Presioni është mbi Poloninë. Për ta është më e vështirë të humbasin ndaj nesh sesa për ne ndaj tyre. Ne kemi më pak për të humbur.”
Lini një Përgjigje