
“The Athletic” ka bërë një analizë për atë se si Burnley thuajse papritur ka ngjallur shpresat për të qëndruar në Premier League. Tetë xhiro para fundit, Burnley mban pozitën e 19-të me 18 pikë. Lutoni e Nottinghami kanë katër pikë më shumë, dy vende më lart. Vendi i 17-të siguron mbetjen në elitën angleze.
Një nga protagonistët për kthimin në garë të Burnleyt është edhe portieri i Kosovës, Aro Muriç. Shtatlarti e fitoi rastin në dy ndeshjet e fundit dhe Burnley mori dy rezultate pozitive. Fitoi 2:1 ndaj Brentfordit dhe barazoi 2:2 me Chelsean. Në të dy ndeshjet 25-vjeçari shkëlqeu dhe mund të jetë në portë deri në fund të edicionit.
“Arijanet Muriç po ofron siguri”, shkruan “The Athletic”.
“Ishte i vetmi zëvendësim që trajneri Vincent Kompany nuk kishte provuar. Por pas 28 xhirosh me besim të palëkundur në transferimin e verës, James Trafford, Kompany vendosi të ndërrojë portierin. Muriç ishte i jashtëzakonshëm në Championship që përfundoi me titull edicionin e kaluar. Bëri vend në ekipin më të mirë të edicionit, sipas votimit të lojtarëve. Ishte pjesë e ekipit që mburrej me bilancin më të mirë në mbrojtje. Kombinoi ndaljen e gjuajtjeve me kualitetin gjatë posedimit të topit”, ka analizuar “The Athletic”.
Sipas “The Athletic”, shumë kanë vlerësuar se portieri i Kosovës u zëvendësua pa të drejtë nga Trafford, që u transferua nga Manchester City për 15 milionë funte.
“I kufizuar që të luajë në ndeshjet për Kupë, Muriçit i ishte mohuar shansi për të dëshmuar që ka kualitetin për Premier League. Ai u kthye në fitoren ndaj Brentfordit dhe të shtunën bëri hapin tutje. Muriç bëri 11 pritje, disa prej tyre vendimtare. Numrin e pritjeve e kombinoi me shpërndarjen e duhur të topave”, thuhej më tej në analizën e “The Athletic”, teksa thekson se Muriç është i denjë për Premier League dhe se bashkëlojtarët i besojnë atij.
“Pyetja tani është se ku do të ishte Burnley sot nëse Muriç do të kishte nisur edicionin në portë, apo do të fitonte rastin më herët”, përfundon artikulli i The Athletic.
Lini një Përgjigje