
Kombëtarja shqiptare U-21 do të luajë më 6 shtator takimin ndaj Zvicrës U-21, sfidë e vlefshme për kualifikueset e Kampionatit Europian “Sllovaki 2025”.
Kuqezinjtë do të nisin grumbullimin të dielën, teksa trajneri Alban Bushi ka publikuar edhe listën me 23 lojtarët e ftuar për këtë takim.
Në këtë listë bie në sy mungesa e Medon Berishës. Ish-kapiteni i Shpresave, tashmë është zyrtarisht pjesë e ekipit të Silvinjos. Në këtë mënyrë, braziliani i merr Bushit një “diamant” nga ekipi i të rinjve.

Rikujtojmë që ai ishte pjesë e grupit në Europianin e Gjermanisë, duke marrë edhe disa minuta në ndeshjen kundër Spanjës.
Me Kombëtaren A, Berisha ka luajtur dy ndeshje, ndërsa me U-21 plot 12 të tilla. Me këta të fundit, mesfushori 20-vjeçar ka shënuar edhe 3 gola.
Tani pritet të shohim nëse Medon Berisha do të marrë ftesë nga braziliani Silvinjo në muajin shtator për ndeshjet e Shqipërisë kundër Ukrainës më 7 shtator në “Epet Arena” të Çekisë dhe ndaj Gjeorgjisë më 10 shtator në “Air Albania”, të vlefshme për Ligën e Kombeve.
Lini një Përgjigje