
Nuk ka derbi të “Madoninës”. Milani i thotë lamtumirë Champions League. Kuqezinjtë nuk kanë shkuar më shumë se barazimi 1-1 në “San Siro”, por janë eliminuar këtu, pasi ishin mposhtur në takimin e parë të luajtur në Holandë me rezultatin 1-0.
Pjesa e parë e ndeshjes u mbyll me shifrat 1-0 për kuqezinjtë, të cilët shënuan që në 40 sekondat e para me Santiago Gimenez, i cili nuk festoi në shenjë respekti ndaj ish-ekipit të tij.
Meksikani dërgoi topin në rrjetë pas gjysmë goditjes dhe gjysmë pasimit të Çau, pas krosimit në zonë të Pulisiç.
Një gol që përtej faktit se është ndër më të shpejtët në historinë e Milanit në këtë turne, e bën atë futbollistin e dytë në kompeticionet e mëdha ndërkombëtare në Europë, që shënon për një skuadër dhe kundër saj në të njëjtin edicion.
I vetmi që e kishte bërë këtë gjë më parë, ishte Koni Torstenson, i cili shënoi me fanelën e Bajernit të Mynihut dhe kundër tij në Kupën e Kampioneve në edicionin 1973-1974.
Më pas kuqezinjtë patën dhe disa raste të tjera, ku vlen për t’u përmendur shtylla e goditur nga Teo Hernandez në minutën e 23.
Milani e nisi shumë keq pjesën e dytë ndaj Fejnordit, në ndeshjen e kthimit që po luhet në “San Siro”. Kuqezinjtë mbetën me 10 lojtarë, pasi francezi mori kartonin e dytë të verdhë.
Teo pretendoi për pengim nga kundërshtari brenda zonës, arbitri e ndëshkoi me të verdhë për simulim.
Fejnordi barazoi shifrat në minutën e 73. Julian Karranza dërgoi topin me kokë në rrjetë pas pasimit të Bueno, duke bërë që holandezët të kualifikohen në raundin e 1/16 ku i pret Interi ose Arsenali.
Lini një Përgjigje