
Pasditen e djeshme u publikua lista e futbollistëve që janë kandidatë për të fituar trofeun e “Topit të Artë” për këtë sezon. Përveçse në listë për herë të parë mungonin emrat e dy më të mëdhenjve, Lionel Mesi dhe Kristiano Ronaldo, këtë herë mes 30 më të mirëve ishte edhe një shqiptar.
Granit Xhaka u vlerësua pas një sezoni fantastik me Leverkusenin ku u shpall kampion i Gjermanisë, fitues i Kupës dhe Superkupës së Gjermanisë, finalist i Ligës së Europës, e po ashtu pati një rrugëtim mjaft të mirë me kombëtaren e Zvicrës, duke arritur deri në çerek-finalet e “EURO 2024”. Megjithatë, Xhaka është futbollisti i dytë shqiptar që renditet mes kandidatëve për të fituar “Topin e Artë”, pasi i pari është Sokol Kushta, shkruan "SOT".
Për gjeneratat e reja mund të mos jetë emër i njohur, por Sokol Kushta ishte një yll futbolli në shekullin e kaluar. Shqiptari që karrierën e tij futbollistike e filloi te Flamurtari i Shqipërisë, për të kaluar më pas te Partizani, bëri një karrierë të pasur edhe në Greqi. Kushta luajti në vendin fqinj për klube si Iralkis, Apolonia Kalmarias, Olimpiakos dhe Ethnikos, e në këtë të fundit edhe u pensionua më 1 korrik të vitit 1996.
Në listën prej 30 lojtarëve, format ky që është edhe sot, Kushta ishte në listë me legjenda të njohura të futbollit si, Rud Gulit, Paulo Future, Emilio Butragenjo, Geri Lineker, Marko van Basten e shumë të tjerë. Gulit fitoi “Topin e Artë” të vitit 1987 me 203 pikë, ndërsa Kushta kishte marrë vetëm një pikë, aq sa kishte edhe legjenda e Romës, Rudi Fëler.
Për Shqipërinë, Kushta kishte bërë 31 paraqitje dhe kishte realizuar dhjetë gola, por karriera e tij më e ndritur ishte ajo me klube, teksa kishte shënuar edhe super gola, siç është edhe një perlë ndaj Partizanit të Beogradit. Ai po ashtu kishte paraqitje edhe në gara si UEFA Cup me gjashtë gola, në Cup Winners’, me katër paraqitje dhe formë të lartë kishte në Super League 1 me 60 paraqitje dhe 12 gola, Gjatë karrierës së tij, ai kishte arritur t’i bënte 322 paraqitje, ndërsa mbetet deri më sot lojtari i vetëm shqiptar i nominuar për çmimin më të madh individual.
Lini një Përgjigje