
Lacio duket se i dha fund krizës së rezultateve negative, teksa u rikthye te fitorja në kampionat, duke mposhtur me shifrat 2-3 Frozinonen në duelin e vlefshëm për javën e 29 të Serisë A.
Një triumf me përmbysje ky i kryeqytetasve. Vendasit kaluan të parët në avantazh me anë të Lirolës në minutën e 13, ndërkohë që Zakanji vendosi baraspeshën në minutën e 38-të. Pjesa e parë u mbyll me shifrat 1-1.
Në fragmentin e dytë të lojës u shënuan edhe 3 gola të tjerë. Protagonist u bë sulmuesi argjentinas Kastelanos, i cili në minutën e 56 zuri vendin e Imobiles. Vetëm 1 minutë në fushë i mjaftuan 25-vjeçarit për të tundur rrjetën. Kastelanos, nuk u mjaftua me kaq, pasi në minutën e 62, shënoi dhe golin e dytë personal dhe të tretin për Lacion.
Gjithsesi vendasit nuk u dorëzuan, dhe ngushtuan sërish diferencën me Kedirën që realizoi një gol mjaft të bukur me roveshatë, por vetëm kaq, pasi në fund ishin lacialët ata që festuan.
Për sa i përket futbollistëve shqiptarë, i vetmi që u aktivizua ishte Marvin Çuni që u hodh në fushë në minutën e 90, ndërkohë që Hysaj dhe Arijon Ibrahimoviç e ndoqën duelin nga stoli.
Lini një Përgjigje