
Mund të thuhet se Shqipëria për të ishte si një autoshkollë.
Silvinjo e dinte se do të duhej të kishte sukses në Tiranë që të merrte patentën e trajnerit të futbollit profesionist, të cilën nuk pati mundësi ta siguronte te Lioni apo Korinthiansi.
Pas përvojave të vështira dhe aspak të suksesshme në Francë e Brazil, 50-vjeçari që si futbollist provoi majat te Barcelona dhe në Angli, e gjeti më në fund vetveten.
Kanë kaluar më shumë se dy vjet, rreth 26 muaj, që ai drejton Shqipërinë, dhe përtej dyshimeve e kritikave, ka se çfarë të tregojë.
Ka mbijetuar për mrekulli në 24 ndeshje, e madje me bilanc në fund të fundit pozitiv, 10 fitore, 5 barazime dhe 9 humbje.
Jo vetëm kaq, por golaverazhi i tij është më i miri që kanë pasur ndonjëherë trajnerët e ekipit tonë përfaqësues.
Me Silvinjon kemi shënuar 30 herë dhe kemi pësuar 22 gola.
Natyrisht, nuk mundi ta ruante ritmin e fillimit, që na ndihmoi të shkonim në finalet e Kampionatit Europian, por ishte gjë që pritej.
Natyrisht, kulmi i tij ishte i madh me kualifikimin në Gjermani vitin e kaluar, hera e dytë që ia dilnim, një sukses që mund të mburret se e ka arritur përveç tij vetëm De Biazi.
Periudha e vështirë e Silvinjos ishte që nga barazimi 0-0 në Tiranë me Ishujt Faroe në nëntor të vitit 2023, pasi u arrit kualifikimi për në Europian.
Vazhduan dy humbjet në miqësore me Kilin dhe Suedinë, ndërsa paraqitjet në finalet gjermane nuk ngrohën edhe aq shumë, me një barazim e dy humbje.
Pastaj erdhi dështimi për t’u ngjitur në Nivelin A të Ligës së Kombeve, por pësuam zbritje në Nivelin C.
Gjithsesi, Shqipëria ishte pranë të gjithë rivalëve si Ukraina, Çekia e Gjeorgjia dhe me shpresë deri në fund.
Periudha e vështirë vazhdoi me tri ndeshje pa fitore, barazimin me Çekinë, humbjen me Ukrainën në “Arenën Kombëtare” dhe disfatën në “Uembli” me Anglinë.
Për fat erdhi fitorja kundër Andorrës që na qetësoi.
Trajneri ndoshta ka nxjerrë disa mësime dhe reflektoi në nisje të grumbullimit të fundit.
Ndaj Andorrës u ndryshuan disa pozicione në fushë, sidomos ai i Brojës dhe kjo dha rezultat.
Besohet, se përvoja më e madhe do ta ndihmojë brazilianin si dhe kombëtaren shqiptare.
Lini një Përgjigje