
Shqipëria përballet më 7 shtator në Pragë ndaj Çekisë, në sfidën që vlen shumë për rrugëtimin drejt “EURO 2024”. Përveç trajnerit Silvinjho, në konferencë për shtyp doli edhe Berat Gjimshiti. Mbrojtësi kuqezi u shpreh se skuadra është gati për këtë ndeshje dhe synimi i vetëm për këtë takim është fitorja.
Muaj përcaktues për Kombëtaren, a ka besim grupi?
Sigurisht që po. Grupi sapo është formuar dhe jemi shumë me eksperiencë dhe lotjarë të rinj që japin gjithçka. Besimi është 100%. Çdo ndeshje është e rëndësishme, janë 3 pikë në lojë, 5 finale që do të japim maksimumin.
A janë marrë masat për shtatlartësinë e Çekisë?
E vërtetë, janë shumë të gjatë dhe nuk jemi shumë afër tyre. Ne do të bëjmë futbollin tonë, do të kemi kujdes me topat në ajër dhe goditjet standarde. Do të kemi përqendrim, pasi nuk është vetëm lartësia por edhe besimi në vete. Nëse nuk ke konfidencë nuk do të kapësh topin.
Prejardhja nga Lugina e Preshevës, sa është e vështirë të mbash barrë përfaqësimin e Kombëtares për shumë familje në emigracion, por edhe shqiptarë të tjerë në Luginë?
Në Kombëtare kemi djem nga çdo trevë, çdo njeri e di për çfarë është këtu. Japim gjithçka në fushë. Ka njerëz që kanë vuajtur për të arritur në këtë pikë por kur luan për diçka që është më e madhe se fanela, për kombin, është një ndjenjë që nuk përshkruhet.
Dy ndeshje ku nuk jemi favorit, a e vendos ekipin por edhe repartin nën presion? Në “EURO 2016” u latë jashtë, a ju motivon kjo për të qenë në “EURO 2024"?
Motivimi nuk mund të them që është më i madh se të tjerët, por kur jam në Kombëtare e kam gjithë kohën. Dua ta arrij kualifikimin dhe të jem në “EURO 2024”. Të gjithë janë të motivuar dhe japin gjithçka. Mbeten në histori dhe motivimi është shumë i lartë.
Në ndeshje të rëndësishme, skuadra ndikohet nga pesha e përgjegjësisë. Sa ndjehet kjo këtë radhë?
Të gjithë janë ndryshe, dikush e merr më fortë dhe disa janë përballur me këtë presion siç mendoj se jam dhe unë ku kam luajtur nën presion të madh në disa ndeshje. Ne do të përballemi me këtë presion. Në kokë kemi vetëm kualifikimin dhe kjo do të na shtyjë akoma më shumë.
Më e lehtë të përballesh me Çekinë pa Patrik Shik?
Besoj se forca e Çekisë nuk janë individët por ekipi që ka një forcë shumë të lartë me lojtarë që luajnë në ekipe të mëdha. E njoh Patrik, pasi kam luajtur disa herë, është i fortë dhe ka patur disa lëndime, por besoj se do të rikthehet më i fortë. Çekia ka shumë lojtarë të fortë dhe janë favorit për t’u kualifikuar.
Barazim këtu dhe fitore me Poloninë apo fitore këtu dhe barazim me Poloninë?
Ta shohim nesër, janë dy ndeshje të ndryshme. Ne mendojmë vetëm për këtë ndeshje e më pas kemi 3 ditë kohë për të përgatitur ndeshjen e radhës.
Lini një Përgjigje